Ndalimi i grumbullimeve si masë antiCovid/ Kuvendi anulon seancën e nesërme

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë nuk do të zhvillojë nesër seancën plenare të parashikuar.

Me anë të një njoftimi për shtyp, Kuvendi thekson se, “në zbatim të Vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 17.11.2020 dhe të Urdhrit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Shoqërore nr. 633, datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, Kryetari i Kuvendit vendosi që të mos zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 19 nëntor 2020”.

“Në respekt të zbatimit të këtyre masave, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i është drejtuar Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Shoqërore, Ogerta Manastirliu, për të bërë një interpretim lidhur me vazhdimin e seancave plenare të Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Kuvendi shton se, puna në komisionet parlamentare vazhdon online. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.