Meta: OSBE duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në mbështetje të reformave strategjike

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim kryetarin e ri të Pranisë së OSBE-së, ambasadorin Vincenzo Del Monaco.

Në takim Meta vlerësoi rëndësinë e OSBE-së për Shqipërinë, teksa theksoi se Prania e OSBE-së duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në mbështetje të reformave strategjike në kuadër të nisjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Pata kënaqësinë të prisja në një takim Kryetarin e ri të Pranisë së OSBE-së, Ambasadorin Vincenzo Del Monaco dhe t’i uroja suksese me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri”, u shpreh Meta.

“Vlerësova rëndësinë e OSBE-së për Shqipërinë, si Organizata e parë shumëpalëshe në të cilën aderuam pas rënies së komunizmit, si dhe kontributin ndër vite të saj në drejtim të forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë”, theksoi Presidenti.

“Theksova se Prania e OSBE-së duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në mbështetje të reformave strategjike në kuadër të nisjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në fushën e zgjedhjeve, demokracisë, sundimit të ligjit, forcimit të institucioneve të pavarura, respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftës kundër krimit e korrupsionit”, tha Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.