“Kaseta e Krushës së Madhe ka vlera të pazëvendësueshme/ Balla publikon dëshminë e gazetarit Shala për Bashën

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sërish sot që kryetari i PD-së, Lulzim Basha të tregojë se ku e ka dërguar kasetën me filmimet e masakrës në Krushën e Madhe.
“Bashkim Shala, një prej gazetarëve të njohur kuksianë që e raportoi eksodin biblik të shqiptarëve të Kosovës, tregon se Lulzim Basha me kolegun e tij janë vendosur në një zyrë pranë prokurorisë së shkallës së parë të Kukësit në katin e tretë”, tha Balla, ndërsa i referohet deklaratës së gazetarit Shala, në një kronikë të Top-Channel.
“Unë nga që e dija për misionin e tyre që kishin, dëshmitë që i mblidhja për shtyp dhe ato që më dukeshin më pikante ia jepja, ia rekomandoja për në këtë zyrë”, – shprehet gazetari Shala.

Sipas kronikës së Top-Channel, “Milaim Bellanica, njeriu kyç, i cili filmoi masakrën e Krushës së Madhe, në prillin e vitit 1999 është filmuar nga kamerat e agjencisë amerikane Associated Press, duke tentuar të hyjë në ambientet e prokurorisë së Kukësit. Por kë donte të takonte Milaim Bellanica brenda kësaj prokurorie?”.

Bashkim Shala është një prej gazetarëve të njohur kuksianë që e raportoi eksodin biblik të shqiptarëve të Kosovës dhe ka shkruar librin “Kronikë Lufte e Qytetit pa Luftë”.

“Fati deshi që në krizën e Kosovës të vitit ’99 të ishim në vendin dhe kohën e duhur. Ishin kohë të vështira dhe tragjike që ne i raportonim ditë përditë. Madje shumë gjëra i anashkalonim, nuk bënin lajm. Kur shkonim në prefekturën e Kukësit, në katin e dytë te zyra e informacionit për të takuar zëdhënësin, atu kemi gjetur dy persona. Një person ishte një djalë i ri dhe një tjetër ishte person me ngjyrë. Jemi prezantuar me ta dhe njëri prej tyre rezulton se paska qenë lideri i sotëm i opozitës, Lulzim Basha. Atëherë nuk e dija. Ishte një djalë i ri që na prezantoi edhe me kolegun e tij. Na tha se ky është nga Afrika e Jugut”, shprehet Shala.

I pyetur se në çfarë kapacitetesh ishte Basha në atë zyrë dhe për kë punonte, Bashkim Shala u shpreh se “Basha me kolegun e tij punonin për Tribunalin e Luftës në ish-Jugosllavi”.

“Pastaj janë vendosur në një zyrë pranë prokurorisë së shkallës së parë të Kukësit në katin e tretë. Unë nga që e dija për misionin e tyre që kishin, dëshmitë që i mblidhja për shtyp dhe ato që më dukeshin më pikante ia jepja ia rekomandoja për në këtë zyrë”, tha ai.

I pyetur mbi rolin e ekipit të tribunalit, Shala shprehet se kishte rol faktmbledhës për krime.

Ndërsa për Milaim Bellanicën, Shala thotë se “ai ka bërë një punë jashtëzakonisht ka bërë një sakrificë dhe ai duhet vlerësuar gjithsesi”. “Ndaj tij nuk duhen ngritur tymnaja, ai duhet vlerësuar për punën që ka bërë. Milaim Bellanica të paktën nga pohimet e tij në mediat vizive më është dukur i sinqertë shumë i sinqertë”, tha Shala për Top-Channel.

Sipas tij, “kaseta ka vlera të pazëvendësueshme”. “Tetë vjet pas masakrës më 28 prill një mision faktmbledhës i Kombeve të Bashkuara erdhi në Kosovë. Ishin të interesuar për masakrën e Krushës së Vogël. Masakra tregohej me dëshmitarë. Po të ishte masakra e dokumentuar me filmime do ishte një mrekulli”, tha ai./m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.