Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë/​Prokuroria: Të nisë verën e ardhshme. Avokatët: Propozim absurd

PRISHTINË, 18 nëntor/ATSH/- Në seancën e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zyra e Prokurorit të Specializuar propozoi që gjykimi të nisë në verën e vitit 2021.

Kjo u kundërshtua nga mbrojtja, sipas së cilëve duhen së paku 18 muaj për hetime dhe gjykimi mund të nisë në verën e vitit 2022. Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Davit Hooper e quajti absurd propozimin për fillim të procesit gjyqësor në verën e vitit të ardhshëm.

Prokurorja tha se nuk ka arsye që gjykimi mos të nisë në verën e vitit 2021.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper kundërshtoi afatin e Prokurorisë për të nisur gjyqi në qershor të vitit 2021.

Hooper theksoi se Prokuroria ka kryer hetime të gjata mbi 5 vjet dhe ka pasur në dispozicion materiale prej hetimeve të tjera që janë kryer shumë vjet më parë.

“18 muaj do të na duhen para se të mund të fillojmë dhe të mendojmë për fillimin e një gjykimi. Për mendimin tim propozimi që ky gjykim të mund të fillojë në qershor është absurd. Kjo është një çështje e komplikuar, ndoshta do të fillojë në verë, në qershor, por jo vitin e ardhshëm, ndoshta një vit më pas. Këto vlerësime të përafërta janë diskutuar me kolegët e tjerë, e dyta, sa i përket aktakuzës kur ke përpara një aktakuzë që është e redaktuar për shembull një fjali kur thotë “në një ditë” dhe nuk jepet dita apo data, kjo nuk është një format adekuat me fjalë të tjera redaktimi duhet të jetë një shkallë më të vogël dhe materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”, tha Hooper.

Kundër nisjes së gjykimit në verën e 2021 u shpreh edhe avokatja e Jakup Krasniqit.

“Nuk jemi dakord me parashtrimet e Prokurorisë. Ne jemi dakord me mendimet e parafolësve. Na duhet kohë dhe mjetet e mjaftueshme, në kuadër të rrethanave të shkaktuar nga COVID-19”, tha ajo.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson tha se “një gjë e tillë është e pamundur, nisur edhe nga fakti që kemi 200 dëshmitarë”.

“Nëse prokuroria është në gjendje që të provojë krimet e luftës, akumulimi i këtyre krimeve individuale nuk përbën ndërmarrje kriminale të përbashkët. Nuk ka ekzistuar siç përcaktohet në akt-akuzë. Në zbatimin e të drejtës ndërkombëtare penale, UCK ka qenë një kryengritje popullore e organizuar në mënyrë minimale për t’u mbrojtur nga gjenocidi serb”, tha avokati mbrojtës i Veselit.

 

KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.