FOTOGALERI/ Liga e Kombeve, Shqipëria fiton 3-2 ndaj Bjellorusisë, del e para në grup

TIRANA, 18 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-2 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen që u luajt sot pasdite në stadiumin “Air Albania”, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Trajneri italian i Kombëtares, Edoardo Reja rreshtoi në fushë formacionin 4-3-3 me Berishën në portë. Ismajli, Veseli, Djimsiti dhe Doka në mbrojtje. Memolla, Gjasula dhe Memushaj në mesfushë. Ndërsa në sulm ishin Laçi, Cikalleshi dhe Manaj.

Kombëtarja e nisi mjaft mirë lojën teksa në minutën e 4-t Cikalleshi zbriti bukur në zonë, por goditja e tij ishte pak mbi traun e portës së mbrojtur nga portieri i Bjellorusisë, Khatkevich.

Në minutën e 19-të Kombëtarja arriti të kalojë në avantazh, teksa Cikalleshi shënoi gol me kokë pas një krosimi të ardhur nga krahu i majtë.

Në minutën e 27-të ishte sërish Cikalleshi ai që dyfishoi shifrat për Kombëtaren duke shndërruar në gol një 11-metërsh.

Por, Bjellorusia shkurtoi diferencën e golave në 2-1 në minutën e 35 me anë të Skavysh.

Në minutën e 44-t ishte Rey Manaj që shënoi golin e tretë për Kombëtaren pas një aksioni të shpejtë të Kombëtares.

3-1 ishte rezultati me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Ndërsa në pjesën e dytë ishte Bjellorusia që shkurtoi diferencën e golave në 3-2 duke shënuar në minutën e 80-të me anë të Laptev.

Minutat e fundit ishin mjaft të zjarrta, teksa Kombëtarja menaxhoi rezultatin e arritur duke kontrolluar lojën.

Me këtë fitore Kombëtarja renditet e para në grupin 4 të Ligës C me 11 pikë duke lënë pas Bjellorusinë me 10 pikë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar fitoren e Kombëtares ndaj Bjellorusisë.

“Cikalleshi është i paparë. Premton një dhe bën dy! Urime kuqezinjve tanë”, shprehet Meta.

Gjithashtu Kryeministri Rama ka ndarë një foto nga ekipi i Kombëtares duke e shoqëruar me zemra për fitoren 3 me 2 ndaj Bjellorusisë.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar Kombëtaren për fitoren ndaj sfidës me Bjellorusinë.

“Një fitore e madhe sonte për kombëtaren Kuq e Zi  kundër Bjellorusisë! Shqipëria gjithmonë mund të fitojë, kjo është në dorën tonë”, shprehet Basha.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka uruar Kombëtaren për fitoren ndaj Bjellorusisë dhe  kërkon nga lojtarët e Kombëtares shqiptare të dhurojnë paratë e fituara ditën e sotme për riparimin e tapetit në “Air Albania” .

“Vetëm kaq? Bravo deri këtu por, me zemër në dorë e mbi të gjitha pa dominim, për pasojë edhe pa playoff që është një shkallë më lart se kaq. Dhe ishin të gjithë më të dobët se ne, se ju! Liga e re është krejt tjetër standard; aty çdo bëni. Individualisht tek e tek jeni të denjë për aty; por aty duhet ekipi, ai që mbron, lufton e fiton në çdo centimetër! Ju keni shansin të hapni një cikël 10-vjeçar që duhet të jetë super, për ju, për ne tifozët, për Shqipërinë, rrituni bashkë e me fitoret”, shprehet Braçe.

“Aaaa po, që të mos harroj; paratë të cilët do rrjedhin nga fitorja e sotme, vendi i parë, kërkoni të mbeten në këtë fushë, aty, për ta bërë njëherë e mirë një fushë që nuk pengon cilësinë tuaj!”, tha Braçe.

Kryebashkiaku Erion Veliaj gjithashtu ka përgëzuar lojtarët e Kombëtares për suksesin e arritur. Veliaj thekson se djemtë na bënë të ndihemi krenarë sot ndërsa i uron dhe për ngjitjen në Ligën B.

“Bravo Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj për golat e shënuar. Një tjetër fitore e merituar nga çunat e Kombëtares. Faleminderit që na bëni të ndihemi krenarë dhe shumë urime për ngjitjen në Ligën B. Forca çuna”, shprehet Veliaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.