Europiani U-21/ Shpresat mbyllin eliminatoret në vendin e 3-të në grup, humbin 5-0 me Anglinë

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/  Kombëtarja shqiptare U-21 ka luajtur mbrëmë në Angli sfidën e fundit për eliminatoret e Europianit 2021, Grupi 3, duke humbur me rezultatin 5-0.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Dzemal Mustedanagic e nisën sfidën e luajtur në stadiumin “Molineux”, të Ëolverhampton me këtë formacion: Molla, Marku, Selmani, Sota, Mitaj, Çokaj, Tuci, Muçi, Dobra, Xhixha dhe Bullari.

Anglezët në krahun tjetër vinin në këtë duel pas një forme mjaft të mirë dhe si kryesues të grupit. Ishullorët e nisën vrullshëm ndeshjen duke gjetur shumë shpejt avantazhin në minutën e 5-të me anë të Hudson-Odoi, i cili goditi saktë me të djathtë duke mposhtur portierin debutues Marco Molla.

Kuqezinjtë u përpoqën të reagojnë, por goli u ka dhënë krahë anglezëve, të cilët në minutën e 26-të realizuan  golin e 2-të me Justin. Në minutën e 36-të shënon edhe talenti Musiala, i cili paraqitet i vetëm me portierin shqiptar pas një kombinimi në hyrje të zonës dhe fikson shifrat në 3-0 për vendasit.

Me kaq mbyllet pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë Mustendanagiç u përpoq të ndryshojë rrjedhën e lojës, duke hedhur në fushë Ndreçkën dhe Mihanën në vend të Tucit dhe Xhixhës.

Gjithsesi, Anglia vazhdoi të ushtrojë presion dhe në minutën e 52-të Nketiah përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes kuqezi për të shënuar golin e katërt.

I njëjti sulmues fitoi një penallti në minutën 81-të dhe vendosi ta ekzekutojë po vetë, por gjuajtja e tij u grushtua nga portieri Molla.

Kombëtarja shqiptare U-21 tentoi në disa raste me Mitajn, Ndreçkën dhe Mihanën të godasi portën, por pa sukses. Në minutën e 86-të, Nketiah realizon edhe golin që vulosi rezultatin final në shifrat në 5-0.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Austria U-21 mposhti me rezultatin 4-0 Andorrën U-21.

Në përfundim të këtyre eliminatore Shqipëria U-21 u pozicionua në vendin e tretë me 14 pikë në Grupin 3, që kryesohet nga Anglia U-21 me 28 pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjesh.  Në vendin e dytë u rendit Austria me 18 pikë.

Sidoqoftë, duhet përmendur fakti se Shpresat shqiptare kanë bërë një edicion të mirë duke lënë pas në renditje edhe Turqinë U-21, Kosovën U-21 dhe Andorrën U-21.

Përveç paraqitjeve të mira në këtë edicion të eliminatoreve të Europianit 2021 kanë spikatur dhe mjaft talente të perspektivës që do të jenë të vlefshme për Kombëtaren A.

ANGLI U21 – SHQIPËRI U21 5-0

GOLAT: Hudson-Odoi 5’, Justin 26’, Musiala 36’, Nketiah 52’, 86’

ANGLI: Bursik, Wilmot, Godfret, Kelly, Justin, Musiala (Jones 61’), Skipp (Dasilva 76’), Davies, Buchanan (McNeil 76’), Hudson-Odoi (Gallagher 61’), Nketiah.

Trajner: Aidy Boothroyd

SHQIPËRI: Molla, Marku, Selmani, Sota, Mitaj (Kraja 81’), Çokaj, Tuci (Ndreçka 46’), Muçi (Ademi 68’), Dobra (Pëllumbi 68’), Xhixha (Mihana 46’), Bullari.

Trajner: Dzemal Mustedanagic

j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.