Buxheti 2021/ Ekonomi: Orientohet nga 3 dimensione, mbrojtja e shëndetit, Rindërtimi dhe rimëkëmbja ekonomike

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Kryetarja e Komisionit të përhershëm të Kuvendit, për Ekonominë, Milva Ekonomi, u shpreh se “buxheti i vitit 2021 orjentohet në tre dimensione të mëdha: mbrojtjen e shëndetit, për t’i bërë ballë pandemisë; rindërtimi nga tërmeti i 26 nëntorit dhe rimëkëmbja e ekonomisë nga goditja që dha pandemia Covid-19”.

Gjatë një interviste televizive, Ekonomi tha se, “në këto tre dimensione është hartuar buxheti i vitit 2021”.

“Por me rëndësi është fakti i peshës së madhe që zë shëndetësia, të cilës i rriten shpenzimet me 16.6 miliardë lekë ose mbi 23% më shumë krahasuar me vitin e kaluar”, u shpreh ajo.

“Buxheti 2021 për shëndetësinë është një rritje historike dhe konsiston në vijimin e të gjitha investimeve të planifikuara për të gjitha spitalet rajonale dhe infrastrukturën shëndetësore në vend. Rritjen me 40% të pagave të personelit shëndetësor me një fond 4.5 miliardë lekë, rritje e mbështetjes për rimbursimin e medikamenteve kundër covid -19 me një fond 1.2 miliardë”, tha Ekonomi.

Ekonomi theksoi se buxheti i vitit që vjen, mban të dyfishuar fondin në vlerën 2.5 miliardë lekë për paketën e ndihmës ekonomike dhe pagesën së papunësisë, që qeveria e adresoi që gjatë kohës së shfaqes së pandemisë, krahas paketave financiare të mbështetjes për qytetarët dhe biznesin.

Sipas saj, për programin e Rindërtimit nga tërmeti, këtë vit u adresuan 34 miliardë lekë dhe vitin që vjen do të financohen 28 miliardë lekë, krahas fondit për bonusin e qerasë për të pastrehët deri sa të hyjnë në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, të gjitha familjet banesat e të cilave kishin dëmtime DS1, DS2, dhe DS3 përfituan pagesën që shteti dha për të meremetuar të gjitha dëmtimet në banesë.

Ekonomi tha se, “buxheti 2021 mbështet me prioritet Reformën në Drejtësi dhe të gjitha institucionet që lidhen me procesin juridik të vendit”.

“Një sektori tjetër që mbështetet me prioritet është infrastruktura dhe energjetika. Investimet publike janë shumë të larta në këtë buxhet që shkojnë në 7.4% të PBB. Investimet publike drejtohen kryesisht në rrugë ujësjellës kanalizime dhe të tjera vepra publike që kanë të bëjnë me mirëqenien e jetës së qytetarëve. Ndërsa prioritet është sektori i bujqësisë që ka dhe një kontribut të madh në ekonominë e vendit. Përveç kontributit të programit IPARD që financohet nga qeveria shqiptare dhe BE, buxheti 2021 adreson financim të taksave për naftën që përdor bujqësia duke i ardhur në ndihmë fermerëve që ta marrin atë 54% më lirë dhe numri i përfitueseve do të shkojë deri në 70 mijë fermerë”, detajoi Ekonomi.

Gjithashtu vijoi ajo, buxheti adreson mbështetje edhe për sektorë të tjerë të rëndësishëm si energjia, digjitalizimi, ekonomia e gjelbër, ndërkohë që për sektorin e arsimit buxheti 2021 mbështet rritjen e pagës për të gjithë arsimtarët me 15%.

“Ky buxhet vjen edhe me rritjen e pagës minimale që tashmë është aprovuar nga qeveria që shkon deri në 30 mijë lekë për çdo person. Gjiithashtu përfshin edhe ndihmën që ju dha 870 naftëtarëve të cilët do të marrin një pagë prej 40 mijë lekë duke shtuar mbi këtë pagë kontributin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore që e merr përsipër qeveria”, u shpreh Ekonomi.

Një element tjetër i rëndësishëm tha ajo, është se ky buxhet nuk vjen i shoqëruar me Paketë Fiskale, që bën të mundur të përfitojnë shumë biznese të vogla nga zerimi i tatimfitimit dhe heqja e TVSH-së për ata me xhiro mbi 15 milionë lekë.

Ekonomi tha se vitin që vjen ekonomia parashikohet të rritet në 5.5% deri në 6% dhe për këtë sipas saj, kontribut do të japë programi i Rindërtimit krahas rritjes së eksporteve, konsumit dhe likuiditetit në treg.

“E rëndësishme është mbrojtja e shëndetit dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.