Brataj: Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve na siguron përballjen me COVID-19, vetëm së bashku do t’ja dalim

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot se vetëm mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve na siguron përballjen me COVID-19 dhe se vetëm së bashku do t’ja dalim.

Brataj theksoi se pranë QKUM po përgatitet një staf profesionistësh i cili do të jetë modeli i së ardhmes dhe se çdo pacient i shëruar është moment më i lumtur për secilën bluzë të bardhë.

“Nuk ka rëndësi sa të zotët jemi ne si profesionist, ka rëndësi sa këshilla japim, sa pacientë ndihmojmë. Por rëndësi shumë të madhe ka sa njerëz, sa profesionistë ne përgatisim, rëndësi ka sa jemi të aftë tu transmetojmë atyre njohuritë dhe eksperiencën tonë. Rëndësi ka çfarë ne lemë pas, çfarë modeli dhe mentaliteti kemi krijuar”, shprehet Brataj.

Brataj tha se nuk është e thënë të bëjmë modele perfekte, por vuri në dukje ai, rëndësi ka që ne të fillojmë një model, të provojmë ti krijojmë ato, se dikush do ti çojë më përpara.

“QKUM e ka nisur këtë model, po e transmeton atë. Këtë model e krijon dhe transmeton duke qenë aty bashkë me ta, duke i mësuar dhe vëzhguar, duke i vënë ti bëjnë manipulimet dhe vlerësimet vet, duke ju dhënë besim dhe duke i vlerësuar për atë që bëjnë. Kur këta djem dhe vajza mezi presin të dalin, kur këta mjek dhe infermier pyesin: me kë do dali sot doktori në mission. Pra ky është modeli, ky është brezi i tyre, ky është mentaliteti që ata po krijojnë”, deklaron Brataj.

Kur njerëzit i shikon dhe i viziton nga afër, vijoi ai, i kupton shumë herë më mirë, u shërben shumë herë më mirë.

“Kur ata na vlerësojnë, na inkurajojnë, na falenderojnë, ne jemi njerëzit më të lumtur në këtë moment. Unë kam një falenderim dhe mirënjohje për çdo personel mjekësor dhe mbështetës në këtë epidemi shqiptare dhe pandemi botërore. Këta janë profesionistët që duam. Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve na siguron përballjen me sëmundjen, vetëm së bashku do t’ja dalim”, tha Brataj./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.