“50% e të prekurve me COVID-19 me forma të lehta”/ Ulqinaku: Me recetën nga mjeku marrin barnat 100% të rimbursueshme

TIRANË, 18 nëntor /ATSH – I. Vata/ Mjeku Dritan Ulqinaku deklaroi mbrëmjen e sotme gjatë një interviste televizive se, “format e lehta të të infektuarve me COVID-19 do të rimbursohen 100% nga shteti”.

“Në 50% të rasteve personat paraqesin formë të lehtë që kalon ose rekomandohet me vitamina dhe me mbrojtës si Aspirin Protex, por jo antibiotikë. Kjo është forma e lehtë dhe është 100% e rimbursueshme”, tha Ulqinaku.

Duke folur për skemën e rimbursimit të ilaçeve ai tha se, “Covidi është si çdo sëmundje tjetër. Në momentin që një qytetarë ka rezultuar pozitiv me COVID-19, pas vlerësimit të mjekut të familjes ai lëshon recetën e cila është një nga format e lehta dhe shkon në farmaci dhe merr ilaçet 100% të rimbursueshme”.

Në lidhje me pyetjen se receta duhet të jetë e specifikuar për COVID-19, Ulqinaku tha se, “çdo recetë specifikohet si për çdo diagnozë tjetër dhe më këtë recetë merret e gjithë gama e ilaçeve të rekomanduara”.

“Format e lehta me COVID-19 kalojnë edhe javën e parë pasi japin një temperaturë të lehtë apo humbet shija apo nuhatja, por gjithmonë është vlerësimi i mjekut që e kategorizon. Pas javës së parë bie temperatura dhe nis rikuperimi i të gjithë shenjave dhe nuk ka nevojë për ilaçe të mëtejshme, por është sërish mjeku i familjes që e vlerëson rastin”, bëri të ditur Ulqinaku. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.