368 000 vaksina falas kundër gripit/Manastirliu: Mirënjohje për punën e palodhur të ekspertëve, të përkushtuar ndaj qytetarëve

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Në të gjitha qendrat shëndetësore po vijon vaksinimi falas kundër gripit për të gjitha kategoritë e rrezikuara, sipas planifikimi të Institutit të Shëndetit Publik në zbatim edhe të strategjisë së vjeshtë-dimrit.

Vaksinimi po vijon për të gjithë personat me sëmundje kronikë, personat mbi 65 vjeç, personat me dëmtime të imunitetit, pavarësisht moshës që ata kanë. Pas administrimit të 100 mijë dozave të para, 37 mijë doza janë duke u shpërndarë në të gjithë vendin, ndërkohë janë në proces dhe vijnë brenda Nëntorit pjesa tjetër prej 230 mijë dozash vaksine.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shprehur mirënjohje për punën e palodhur të të vaksinatoreve dhe ekspertëve të vaksinimit që po i përgjigjen me profesionalizëm e përkushtim qytetarëve.

“Mirënjohëse për punën e palodhur të vaksinatoreve dhe ekspertëve të vaksinimit që po i përgjigjen me profesionalizëm e përkushtim qytetarëve, duke garantuar një proces vaksinimi të sigurt dhe efikas kundër gripit, në të gjithë qendrat shëndetësore në vend, në zbatim të strategjisë së Vjeshtë-Dimrit”, shprehet ministrja.

Me 368 000 vaksina falas, thekson ajo, mbrojmë stafet mjekësore, të moshuarit dhe grupet më të rrezikuara me vaksinat falas kundër gripit sezonal.

Ministrja e Shëndetësisë ka theksuar rëndësinë e kontaktit me mjekun e familjes për trajtimin e COVID-19 në banesë dhe ju ka bërë thirrje qytetarëve të lidhen me mjekun e familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për të shmangur keqinformimet apo trajtimet e gabuara. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.