Sfida me Bjellorusinë/ Berisha: Skuadra është shumë e motivuar, kemi kualitetin për të fituar

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Etrit Berisha, gjatë konferencës për shtyp komentoi ndeshjen që Kombëtarja zhvilloi ndaj Kazakistanit dhe golin e pësuar, si dhe shtoi se ekipi ynë ka më shumë kualitete se ekipet e tjera të grupit.

Për sfidën ndaj Bjellorusisë ai tha se, “skuadra është shumë e motivuar për këtë ndeshje dhe jemi duke përgatitur edhe detajet e fundit. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë si të gjithë të tjerat, mirëpo mendojmë që kualitetin ne e kemi dhe të gjitha mundësitë e tjera po ashtu. Sa i përket pyetjes tjetër që kemi pësuar vetëm dy gola, jemi të lumtur, pasi kanë qenë dy gola të evitueshëm dhe nuk kemi pësuar gola nga aksionet e kundërshtarit. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me siguri ndeshja e ardhshme është ajo më e rëndësishmja ku do mundohemi që të fitojmë”.

I pyetur se çfarë mund të bëjmë më mirë me Bjellorusinë sesa me Kazakistanin, Berisha u shpreh se, “unë mendoj që edhe kundërshtari mori iniciativën në fillim të pjesës së parë, mirëpo nuk mendoj që ishim në vështirësi të madhe. Ne në fushë nuk patëm atë ndjesinë që Kazakistani mund të shënonte apo të bënte aksione të rrezikshme. Disa gjëra i kemi parë edhe ne pas lojës, i kemi analizuar që duhet të bëjmë më mirë dhe duhet të mundohemi t’i eliminojmë ato gabime që i kemi bërë më herët. Bjellorusia është një skuadër më ndryshe, fizikisht më e fortë, mirëpo ajo ndeshja që zhvilluam atje ishte shumë pozitive dhe ndeshja që zhvilluam atje na jep mundësi edhe për këtë ndeshje”.

Për situatën në vigjilje të kësaj përballje, Berisha tha se, “mendoj që edhe sfida me Kazakistanin ishte me shumë rëndësi pasi ishte hapi i parë për të filluar një mision që kishim të ishim në vendin e parë. Mirëpo mendoj që e arritëm me sukses dhe fillimi i punës mbarë është gjysma e punës dhe kjo ndeshje do të jetë e rëndësisë së vet. E di që duhet vetëm të fitojmë dhe nuk bëjmë kalkulime të tjera. Unë mendoj që kualitetin e kemi dhe duhet të jemi të qetë dhe duhet ta presim momentin e duhur”.

I pyetur nëse presioni për të arritur vendin e parë në grup, mund të kthehet edhe në një faktor penalizues, Berisha u shpreh se, “ne e kemi kualitetin në ekip dhe kualiteti që kemi ne është më i lartë se të gjitha ekipet e tjera dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Nuk kemi asgjë për të kalkuluar, për barazim, apo gjëra të tjera. Duhet të futemi qetë dhe duhet të fitojmë lojën. Do luajmë edhe në shtëpi dhe të gjithë çunat janë të vetëdijshëm që duhet të japin maksimumin”.

I pyetur për reagimin e FIFA-s dhe medias europiane pas golit që pësoi në ndeshjen me Kazakistanin, Berisha tha se, “është një gol që mund të ishte i evitueshëm dhe komentet do të jenë të ndryshme, por nuk është se unë aty do rri dhe do i shikoj se çfarë kanë shkruar dhe çfarë kanë bërë. Me rëndësi është se e di se ku ishte gabimi apo vendosja ime ishte pak më e lartë se ç’duhej dhe kjo përfundon këtu. Kurse goli, mundësia që i kanë dhënë atij, ka provuar, për shkak se ne në fushë ndiheshim që Kazakistani nuk mund të na rrezikonte. Ndoshta e ka parë atë mundësi dhe ishte fatlume për të”.

Kombëtarja jonë do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e fundit të vlefshme për Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë në orën 16:00 dhe në rast fitoreje, ajo do të ngjitet në vendin e parë të grupit 4, në Ligën C. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.