Rindërtimi në Shijak/ Banorët në Xhafzotaj marrin çelësat e banesave të reja, në 300 shtëpi të kësaj zone do festohet Viti i Ri

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Xhafzotaj të Shijakut ku po vijon me ritme të shpejta rindërtimi i banesave individuale dhe shumë familje që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit po rikthehen në banesat e rindërtuara më të bukura dhe më të sigurta.

“Puna vijon papushim për të gjithë ata që u prekën nga tërmeti i nëntorit të shkuar dhe në 300 shtëpi të kësaj zone do të festohet Viti i Ri. Qentë le të lehin, karvani do të ecë më shpejt përpara”, u shpreh Rama.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, i cili shoqëronte kreun e qeverisë u shpreh se, “nga 567 banesa individuale që po ndërtohen në bashkinë e Shijakut, vetëm në lagjen Kodër Koxhas, pikërisht këtu në këtë lagje, po ndërtohen 12 banesa nga të cilat kanë përfunduar të gjitha”.

Kryeministri Rama vizitoi banesën e shtetasit Gani Tokuli, i cili aktualisht ndodhet jashtë shtetit për kurim.

Kryeministri i dorëzoi çelësat e banesës së re, vëllait të tij, i cili e falënderoi kreun e qeverisë për rindërtimin e shtëpisë.

“Ju falemnderit shumë! Ju jeni ata që na prutë deri këtu. Zoti është i madh, ta shpërbleftë!” – tha ai.

Kryebashkiaku Arbana u shpreh se, “banesa individuale është 3+1, dhe ka nisur nga ndërtimi 37 ditë më parë”.

Ndërsa ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se, “në bashkinë e Shijakut do të kemi mbi 300 njësi individuale që do t’i dorëzojmë përpara 31 dhjetorit. Përveç shkollave që kemi një seri në të dy bashkitë Durrës dhe Shijak. Nga 12 shkolla që do të dorëzojmë në 26 nëntor shumica janë në këtë territor. Dhe po shumica janë në këtë territor, rreth 28 të tjera, që dorëzohen deri në dhjetor. Një pakicë shkollash mbetet për janar-shkurtin”.

Kryeministri Rama më pas vizitoi edhe banesën individuale 2+1 të familjes Jemin Gashi, teksa i dorëzoi çelësat zonjës së shtëpisë.

Kryebashkiaku tha se, “edhe kjo banesë ka nisur paralelisht 37 ditë më parë dhe jemi gati t’i japim çelësat”.

“Nuk e besonit që do bëhej, po ja që u bë”, i tha Rama të zonjës së shtëpisë, e cila e falënderoi Kryeministrin për rindërtimin e shtëpisë.

Kryeministri i dorëzoi çelësat e shtëpisë së re edhe familjes së Sanije Gashit, të cilës iu rindërtua banesa 3+1.

“Futu me të djathtën”, i tha Rama vajzës së zonjës së shtëpisë, “e djathta vetëm për të kaluar pragun duhet, pastaj me të majtën gjithë kohës”.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana u shpreh se, “brenda muajit nëntor, ashtu siç i kemi programuar do të dorëzojmë 100 çelësa për 100 banesa individuale. Dhe brenda muajit dhjetor do të mbarojnë të 300 banesat individuale që kanë nisur. Paralelisht ka nisur puna edhe për 267 banesa të tjera, por ato do të përfundojnë brenda 15 janarit, pasi kanë pasur probleme me pronësinë dhe tokën”.

Sa i përket pallateve, kryebashkiaku Arbana tha se, “jemi në faznë e tenderimit dhe për 10 ditë hapet oferta për firmën ndërtuese dhe vazhdojmë”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.