Osmani pozitive me Covid-19/ Ruçi: Ju uroj shërim sa më të shpejtë

PRISHTINË, 17 nëntor/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani është infektuar me COVID-19.

Osmani bën të ditur se pas kontakteve me disa të afërm pozitivë me COVID-19, ka rezultuar pozitive.

“Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike. Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë  këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar”, shprehet Osmani.

Pas njoftimit të Presidentes në detyrë, Kryetares së Kuvendit të Kosovës, ka reaguar Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në një letër drejtuar Osmanit, Ruçi i uron shërim të shpejtë nga kjo sëmundje, e cila prej gati një viti po rrezikon jetët njerëzore në mbarë botën.

“Prekja nga Covid-19 ndodhi pikërisht një ditë para vizitës Tuaj të planifikuar në Tiranë.  Duke përsëritur dëshirën time për një shërim të shpejtë, uroj më të mirën për Ju, familjen tuaj dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet pranë dhe në mbështetje të Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të saj”, u shpreh Kryeparlamentari Ruçi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.