Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës/ Balluku: Po bashkëpunojmë me qeverinë amerikane

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e cilësuar ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë dhe ëndërr të qeverive të tjera, tha se “këtë javë ka patur zhvillime lidhur me projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, ministrja Balluku tha se “ne po bashkëpunojmë me qeverinë amerikane për këtë projekt”.

“Dje në Tiranë ka adhur një mision nga DFC, që është Fondi Amerikan i Zhvillimit, Bashkëpunimit dhe Financimit Ndërkombëtar, duke qenë se kjo do jetë një kredi e përbashkët”, sqaroi ajo.

Sipas saj, qeveria nuk do të negociojë me banka apo institucione të tjera, por do ta bëjë të gjithën përmes DFC-së.

“Sigurisht kolateralet janë të KESH-it dhe jo të buxhetit të shtetit, pra nuk do ketë garanci sovrane nga buxheti i shtetit, por kolaterale të KESH-it, të cilat janë të mjaftueshme, duke qenë se është një nga kompanitë më të mëdha”, – nënvizoi Balluku.

Ministrja Balluku u shpreh se “jemi në një rrugë shumë të mirë, kemi hyrë në bisedë teknike me kompaninë Bechtel, Ministria e Financave sot flet për të gjitha detajet teknike mes palëve të specialistëve tanë, ekspertëve dhe Bechtel”.

“Ndërkohë që dje kam filluar negociatën me DFC dhe sot misioni i dërguar nga DFC ndodhet në takime me institucione të tjera si KESH dhe institucione të tjera financiare”, – tha Balluku.

Ndërsa Kryeministri Rama i pyetur për Skavicën u shpreh se “dihet botërisht që kemi një marrëveshje me SHBA për ta ndërtuar Skavicën”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.