Hysaj humb ndeshjen ndaj Bjellorusisë, rezulton pozitiv me COVID-19

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Elseid Hysaj, humbet ndeshjen e nesërme ndaj Bjellorusisë pasi ka rezultuar pozitiv në testin e COVID-19.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se futbollisti është njohur me rezultatin e tamponit gjatë mbrëmjes dhe është karantinuar menjëherë.

Njëkohësisht, njoftohet se të gjithë lojtarët e tjerë dhe stafi teknik i Kombëtares, të cilët i janë nënshtruar tamponëve sot (sipas protokollit një ditë përpara ndeshjes), kanë rezultuar negativë. Hysaj do ta kryejë karantinën në Shqipëri derisa të rezultojë negativ.

Kombëtarja do të zhvillojë ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania” ndeshjen e fundit të vlefshme për Ligën e Kombeve kundër Bjellorusisë në orën 16:00 dhe në rast fitoreje, ajo do të ngjitet në vendin e parë të grupit 4, në Ligën C. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.