Durrës, bashkia redukton tarifat e arsimit parashkollor për kategoritë në nevojë

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Bashkia e Durrësit ka reduktuar ndjeshëm tarifat e arsimit parashkollor për kategoritë në nevojë.

Vendimi u miratua në Këshillin Bashkiak të Durrësit, i cili redukton detyrimin mujor dhe shërbimin pa pagesë për kategoritë në nevojë për përfitim të reduktimit të tarifës së regjistrimit të fëmijëve në institucionet e arsimit parashkollor – kopshtet dhe çerdhet.

Komisioni i Barazisë Gjinore dhe Mirëqënies Sociale i Këshillit Bashkiak Durrës përbërë nga Klementina Meçi, Petrit Ismailati, Jolanda Mustafaraj, Adriana Hatellari dhe Ezmeralda Xheraj kanë dalë në një konferencë shtypi për të informuar publikun lidhur me këtë reduktim.

Kryetarja e këtij komisioni Klementina Meçi pasi ka ftuar kategoritë përfituese të dorëzojnë dokumentacionin përkatës deklaroi ndër të tjera se “sipas vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, shtresat në nevojë që përfitojnë reduktim të tarifës për regjistrim në arsimin parashkollor – kopshte, paraqiten sipas kategorive më poshtë janë familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike të përjashtohen nga detyrimi mujor, familjet me binjakë e lart paguajnë vetëm për njërin fëmijë”.

“Po ashtu familjet, të cilët kanë një prind invalid (me komision mjeko-ligjor) dhe tjetrin të papunë (vërtetim nga zyra punës) përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor, fëmijë të vajzave nëna, sipas statusit në regjistrat e gjendjes civile përfitojnë gjithashtu 50% reduktim nga detyrimi mujor, familjet ku vetë fëmija që ndjek institucionet arsimore parashkollore është me aftësi të kufizuar të vërtetuar me komision mjeko-ligjor, përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor, si dhe fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian përfitojnë 50% reduktim nga detyrimi mujor”, – tha Meçi.

Bashkia Durrës fton kategoritë përfituese si më sipër që të interesohen, për informacion të mëtejshëm dhe plotësim të dokumentacionit të nevojshëm për regjistrim të fëmijëve sipas këtyre lehtësimeve, pranë kopshteve që i korrespondojnë vendbanimit të tyre./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.