25% e kapaciteteve të dy spitaleve COVID të lira/ Bino: Situata është serioze, duhet një ndërgjegjësim qytetar

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Shefja e Departamenti të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin i Shëndetit Publik, Silva Bino i bëri apel sot qytetarëve për kujdes të shtuar në zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Gjatë një interviste në medie, Bino bëri të ditur se situata është serioze dhe se duhet një ndërgjegjësim qytetar.

“Ne jemi në një pandemi dhe kemi në rritje të incidencës dy javore. Kjo tregon se kemi një shtim të infeksioneve. Nga ana tjetër kemi edhe një rritje të rasteve aktive për 100 mijë banorë. Këto janë disa indikatorë. Edhe matja e RT është mbi shifrën 1, që tregon se kemi qarkullim të virusit në komunitet”, tha Bino.

Për këtë arsye, tha ajo, duhen shtuar masat.

Bino tha se aktualisht, 25% e kapaciteteve të dy spitaleve COVID janë të lira. Por, ajo apeloi qytetarët që të mos dalin nga shtëpia, në rastet kur ata janë COVID pozitiv. Sipas saj, janë evidentuar raste kur qytetarët të infektuar kanë dalë në kafe.

“Përtej përgjegjësisë si individ duhet të ketë edhe një përgjegjësi kolektive dhe ata qytetarë që njohin persona të infektuar me COVID dhe që dalin në kafe duhet t’i denoncojnë“, tha Bino.

Duke folur për masat e reja Bino tha se kufizimet, mbajtja e maskës dhe mbyllja e lëvizjes pas orës 22.00 duhet të japin impakt pozitiv.

Por shtoi ajo se, “nëse nuk do të kemi bashkëpunim me qytetarët dhe një lloj përkushtimi të çdo individi, çfarëdo lloj masash që të merren, nuk do të kenë efektin e duhur”.

”Nëse themi maska është e detyrueshme, duhet mbajtur maskë në fytyrë dhe jo poshtë fytyrës”, tha ajo./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.