128 kantiere/ Balluku: Në fund të vitit 2021, 24 orë ujë të pijshëm për 2 milionë e 848 mijë banorë në të gjithë vendin

TIRANE, 17 nëntor /ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, u shpreh se “furnizimi me ujë është një nga 5 strategjitë kryesore të programit të qeverisë dhe konsiston në zgjerimin e aksesit me cilësi të shërbime të furnizimit me ujë të popullatës dhe përmirësimin e kuadrit ligjor”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve Alqi Bllako, Balluku tha se, “sot në Shqipëri janë të hapura mbi 128 kantiere uji të cilat do të pasohen me 70 të tjera gjatë pranverës së vitit që vjen”.

Sipas ministres, këto kantiere, janë të shtrira nga Malësia e Madhe në Konispol, me prioritet në zonat turistike në zhvillim siç janë Thethi apo në Lëpush, apo dhe vende të tjera, duke i dhënë fokus edhe jugut të vendit ku fluksi i vizitorëve çdo ditë dhe gjatë sezonit veror është në rritje, ndaj dhe kapacitet për furnizimin me ujë, kanë nevojë të rriten.

Në këtë konteks tha Balluku, qeveria ka rritur investimet reale në këtë sektor.

“Investimet nga viti 2014 deri në 2019 kanë qenë në 514 milionë euro nga të cilat 202 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe 311 milionë euro financim i huaj. Ndërsa gjatë vitit 2020 fondi i investime për këtë sektor kap shifrën 43.75 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe 30.53 milionë euro është financim i huaj. Investimet për këtë sektor shënojnë rritje të konsiderueshme. Shifra e financimit nga buxheti i shtetit shkojnë në 52,6 milionë euro dhe financim i huaj 45.35 milionë euro. Buxheti i vitit 2021 që u miratua së fundi, mbulon mbi 85% të nevojave që Ministria e Infrastrukturë dhe Energjisë ka paraqitur për të gjitha projektet e ujësjellës kanalizimeve për vitin 2021. Pra duke i dhënë një fokus të veçantë këtij sektori kaq të rëndësishëm për të gjithë qytetarët”- tha ajo.

Balluku theksoi se, “në sistemin e ujësjellës kanalizimeve nuk gjetëm vetëm problemin e rrjetit të amortizuar të ndërtuar në vitet 60 -70, por edhe lëvizjet demografike kishin sjellë jo pak ngarkesa, siç është rasti i Tiranës. Që ka një sistem të ndërtuar në vitet 60 për një kapacitet jo më shumë se 300 banorë, por që i është dashur të akomodojë për vite të tëra kapacitetin e 1 milion banorëve në të njëjtën rrjet”.

Nga vitit 1991 deri në 2013, në sektorin e ujësjellës kanalizimeve janë bërë mbi 1.5 miliard euro investime e megjithatë në vitin 2013, vetëm qyteti i Korçës ishte ai që furnizohesh 24 me ujë të pijshëm. “Ndërkohë që ne deri në fund të mandatit të dytë do të kemi realizuat investime në 686 milionë euro. Duke garantuar kështu furnizimin me ujë 24 orë për 52 zonat urbane”, – nënvizoi ministrja.

Balluku u shpreh se në këto kantiere ku po vijon puna, ne synojmë t’i mbyllim brenda verës së vitit 2021 dhe përpara afatit të parashikuar që e kanë deri në dhjetor 2021, për ta pritur sezonin veror me parametra të tjerë të furnizimit me ujë të popullatës.

“Në vitin 2013, vetëm 117 354 banorë furnizoheshim 24 orë me ujë. Ndërkohë që në përfundim të vitit 2021, ne synojmë të furnizojmë 24 me ujë të pijeshëm 2 848 000 banorë në të gjithë Shqipërinë”, – theksoi ajo.

Balluku tha se gjithashtu reformë e thellë është bërë edhe në sistemin e faturimit.

“Ne kemi investuar në kantieret e reja të ujit, në depot e ujit, në burimet e ujit, rrjetin e shpërndarjes, duke reduktuar edhe humbjet në rrjet, ndërsa kemi investuar dhe në ujëmatës duke i vendosur ato në çdo familje, si mundësi për të mbledhur të gjithë faturimin e ujit”, – tha ministrja.

“Në të njëjtën kohë niveli i faturimeve dhe arkëtimeve është rritur me 71.5% duke eliminuar lidhjet e paligjshme në rrjet dhe abuzimet. Në vitin 2013 ishin 5,58 milionë euro faturime të mbledhura, ndësa gjatë këtij viti kemi arritur të mbledhim 9,58 milionë euro, pra dyfishin e shumës. Rritja e arkëtimeve ka sjellë mbulimin e kostove operacionale deri në nivelin 94%”, – tha ministrja. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.