Dëshmia e ish-komandantit të UÇK-së, Latif Gashi: Basha mori pjesë në arrestimin tim, Reagon PD: Deklaratat të orkestruara nga Rama


TIRANË, 16 nëntor/ATSH/-Latif Gashi, ish-komandat i UÇK në zonën e Llapit, një nga luftëtarët e UÇK që është arrestuar nga UNMIK dhe është dënuar me akuzat për krime lufte, tregon pas shumë vitesh procesesh gjyqësore, se Lulzim Basha, aktualisht kreu i PD-së, ka marrë pjesë në arrestimin e tij.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka publikuar dëshminë e ish-komandanti legjendar i UÇK-së për zonën e Llapit Latif Gashi dhënë për Top Channel i cili deklaron se “Lulzim Basha mori pjesë në arrestimin tim. U soll keq. Ishte edhe vajza e Sali Berishës”.

“Tani kuptohet qartë gjithë urrejtja dhe balta e Sali Berishës ndaj Hashim Thaçit dhe komandantëve të tjerë të UÇK-së”, deklaron Balla.

Gashi tha se “procesi i arrestimit tim ka qenë rasti i parë kur jam arrestu për krime lufte Ka qenë forca të mëdhaja të UNMIK-ut. Ka qenë një spektakël. Ka pas trajtim dhe përdorim të forcës së teprume. Në rast e arrestimit tim kanë pas një trajtim jo njerëzor”.

Gashi thotë se Basha ishte sjellë keq, si një polic dhe jo si një përkthyes.

“Sjellja jo e mirë ka ndodh veç të tjerëve edhe nga një përkthyes i quajtur Lulzim Basha për emrin e të cilit familja ime mori vesh, se në momentin e kontrollit ai ka qenë me maskë. Po si duket e kanë tradhtuar vetullat e sytë e tij karakteristike e flokët e tij dhe zëri i tij, i cili gjatë marrjes së vizitave nga anëtarët e familjes sime ai ka qenë prezent te gjykatësi dhe i ka prit. Aty familja ime ka identifikue personin e njëjtë që ka qenë në banesë. Edhe në momentin kur u fut ai u ka drejtua gruas sime dhe familjes sime ku i ke kalamajtë. Ai edhe sjellje të tjera jo humane. Jo me lujt rolin e përkthyesit por rolin një polici, si më përpara kur na kanë hy policët serb. Fatkeqësisht ka fol gjuhën shqipe. Plot 20 vite kanë kalue dhe s’kam dash ta bëjë teme. Unë e konfirmoj që ai ka qenë në banesës time dhe nuk e ka pas sjelljen e mirë.  Ajo që duhet sqaruar për publikun është se gjatë kontrollit në banesën time, në zyrën time është marë një ditar lufte. Edhe ai ditar i luftës për mua ka pas një vlerë të madhe historike dhe për popullin tonë. Dhe unë besoj, që duke marrë parasysh pozitën e tij si përkthyes edhe si një njeriu më i besuar në atë kohë për gjykatën e UNMIK-ut me një rrogë marramendës, besoj se ai ditar është përkthyer nga ana e tij dhe ai ditar së paku besoj se i duhet një sqarim publik edhe ndaj meje si luftëtar i lirisë”, u shpreh Gashi.

Ai shprehet se ditar kurrë nuk është proceduar si provë materiale gjatë procesit gjyqësor, “por veç u mor u përkthye dhe nuk i ka vajt drejtësisë ndërkombëtare, por e kanë zhduk. Në procesverbal shkruhet se është marrë ditar lufte prova material 49”.

“Në të gjitha proceset gjyqësore unë e kërkoj të administrohet si provë materiale se i gjithë aktiviteti im i luftës dhe i zonës së Llapit ka qenë i shkrujt çdo ditë. Ai ditar ka qenë i rëndësishëm për historinë dhe pse jo edhe si provë material që procesi gjyqësor shumë shkurt do përfundonte. Nuk i ka vajt drejtësisë ndërkombëtare dhe e kanë zhduk. Ditari mbante konkretisht çdo aktivitet timin, çdo ramjet e dëshmorëve. Çdo ditë çfarë kam dit që ndodhe e kam shkrujt në ditar. Eshtë pjesëmarrja ime, pothujse në të gjitha betejat në zonën operative të Llapit. Për drejtësinë ndërkombëtare ka pas rëndësi të përdoret ajo. Përshembull unë jam akuzu në një vend të caktu për krime dhe ditari im e ka përshkru në gjendje reale ça ka ndodh në kohë reale dhe ai e demontonte akuzën që e kanë bërë hetues serb, dëshminë e kanë marrë hetues të UNMIK”, tregon Latif Gashi.

I pyetur nëse ky ditar mund të jetë humbur apo të ketë dorë edhe  Basha në humbjen e tij, Gashi thekson se “në mos të kishte qenë Lulzim Basha përkthyes do të ishte dikush tjetër. Aty ka qenë edhe çika e Sali Berishës, Argita Berisha, qysh e ka emrin ajo. Edhe ajo ka qenë me maskë dhe gjatë marrjes time në biseda besoj se ka qenë edhe ajo”.

“Por mua më intereson që një njeri i cili pretendon me u bo kryeministri i Shqipërisë, ai njeri a ka pas obligim me raportu në shtetin e vet për shërbimet që i ka bërë UNMIK-ut. Përveç që ka qenë njeriu i shitun, e ka punu për pagën e vet. Ai është dashtun me raportue në shtetin e tij, në Shqipëri, tek organet e Shqipërisë. Unë e di 100 përqind që një pastrues serb po ka punu me UNMIK ka bashkëpunu me shtetin e vet. Lulzim Basha a i ka raportuar shtetit të vet. Dhe së paku sot të dalë ballhap, sot me u përgjegj po isha dëshmitar që e kam përkthye atë ditar që nuk u përdor kurrë se ka për të shkue në favor të Latif Gashit dhe pse. Unë kam dokument se në 2013 është mbajt një dokument i veçantë se janë kontrollu arkivat e UNMIK nga hetues ndërkombëtar dhe është kërkuar ditari apo prova material 49. Është një dokument ku më thuhet se  ditari juaj është zhduk nga hetues të UNMIK. Kjo e dëshmon edhe marrjen edhe zhdukjen”, deklaron ish-komandanti I UÇK-së.

Ai shton se ”Lulzim basha të vetmin faj ka, apo unë po të isha përkthys  në vendin e tij, po të kisha vënë re rëndësinë e tij, unë pa e bërë një kopje të tij nuk e kisha lënë. Se ne UNMIK na kërkoi të na kriminalizoje e të zhdukte historinë e luftës tonë çlirimtare”.

“Na ka çuar si një ndërmarrje të përbashkët kriminale edhe më herët. Ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk mund të quhet një Ushtri Çlirimtare e Kosovës. I njëjti term ka qenë dhe për ne si tani në gjykatën special”, deklaron Gashi.

Pak ditë më parë u publikua edhe dëshmia e Milaim Bellanicës, i mbijetuar prej masakrës së Krushës së Madhe, i cili mundi të filmonte ekzekutimet dhe veprimet e tjera të pushtuesve serb i cili tha se “BBC e ka pas krejt incizimin dhe origjinalin ia kam dhënë Lulzim Bashës”.

Në rrëfimin e tij, Bellanicës tregon takimin me Bashën. “A je Milaim Bellanica? I thashë, po. A ban me zbrit poshtë? Kam zbrit poshtë dhe më morën më dërguan në një si sallon, kuzhinë. Prej atij moment deri në 6 të mëngjesit kemi dhënë deklaratë dhe ata e kanë incizuar dhe kanë marrë origjinalin se ia kam dorëzuar vetë Luzim Bashës. Në atë kohë ishte përkthyes i Hagës, përkthyes i tyre, ai ka ardhur bashkë me të”.

Pas këtyre dëshmive ka reaguar Partia Demokratike duke theksuar se “në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të UÇK-së”.

Në një deklaratë për shtyp PD, thekson se “ky është një fakt i konfirmuar edhe nga ish- Kryeprokurori i EULEX, Williamson. Deklaratat e rreme të orkestruara nga Edi Rama nuk dëmtojnë aspak Lulzim Bashën. Ato shkojnë kundër interesit kombëtar, duke dëmtuar imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë”.

PD shprehet se “sa herë është para humbjes së zgjedhjeve, Edi Rama zbaton të njëjtin skenar shpifjesh kundër Lulzim Bashës. E bëri atë në 2005-ën, në 2011-ën dhe po riciklon sërish skenaret e denja për Sigurimin e Shtetit”.

“Të tillë skenarë imagjinarë kundër Lulzim Bashës do të dëgjoni pa ndërprerje deri në 25 Prill! Rama nuk ka asnjë alternativë dhe nuk ka me çfarë ta mbulojë tjetër dështimin e 8 vitëve në pushtet. Përbuzeni Edi Ramën dhe mercenarët e tij”, thotë PD-ja.

Partia Demokratike shprehet se “përbuz me neveri maskaradën e orkestruar nga Edi Rama dhe Top Channel kundër kreut të opozitës Lulzim Basha”.

“Deklaratat e fabrikuara janë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës dhe të pasurimit të paligjshëm të mercenarëve të tij, të fshehur pas inceneratorëve”, thuhet në deklaratën e PD-së.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.