Krasniqi në Hagë: Kurrë s’kam trajtuar njeri siç më trajtuat mua, Serbinë e kam luftuar politikisht

PRISHTINË, 9 nëntor/ATSH/- Në Gjykatën Speciale të Hagës kanë nisur seancat ndaj ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte. Seanca ka nisur me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi i cili deklaroi se kurrë në jetë nuk ishte sjellë me njerëzit ashtu siç ishte trajtuar ai që prej momentit të arrestimit në 4 nëntor, e deri në sjelljen e tij në atë institucion të drejtësisë.

“Unë jam arrestuar më 4 nëntor 2020 në aktakuzë po na quani; ndërmarrje kriminale të përbashkët. Dua të deklaroj sot se; kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm, nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq e as se si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. Kurrë në jetën time. Kurrë s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë se nuk ka qenë qëllimi im kështu, në luftën e gjenocidit serb në Kosovë. E ndjej veten më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të dëshiroja që të isha nën petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual dhe jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë”,  tha ai duke shtuar se kurrë në asnjë deklaratë timen nuk e ka orientuar gishtin në asnjë popullatë civile as serbe, as ndonjë tjetër.

Krasniqi tha se “në aktakuzë përpiqeni t’i ndani shqiptarët në katolikë dhe mysliman, unë jam shqiptar dhe nuk jam as katolik as mysliman dhe për mua kjo është fyese, edhe për mua dhe vendin tim”.

“Cilësimi i Prokurorit se jemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët, familjen time që luftuam gjatë për kombin tonë nuk ka gjë me fyese pasi ne në një kohë të gjatë, në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje u vumë në shërbim të lirisë dhe shtetndërtimit të cilat i arritëm në bashkëveprim me SHBA, me vendet e BE, me NATO e OKB dhe të gjithë ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, tha Krasniqi.

Gjyqtari i ka përmendur aktakuzat ndaj Krasniqit duke deklaruar se “juve akuzoheni për përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme”.

Krasniqi tha se nuk i duhet avokati pasi nuk mban përgjegjësi për asnjë nga veprat e ngritura përmes aktakuzës.

“Unë fillimisht nuk kam menduar që të marr avokat mbrojtës, dhe atë nuk e kam marrë me vullnetin tim as me bindjen time se më duhet avokati, por ishte dëshira e familjes dhe shokëve që të kem avokat dhe e pranova. Përndryshe jam i bindur që nuk më duhet avokati. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem, as të veprimit, as të mosveprimit. Detyra ime ka qenë publike, kryesorja ka qenë zëdhënës i UCK-së”, deklaroi Krasniqi.

Seanca ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillohet sot në orën 15.00, ndërsa ndaj Kadri Veselit të martën ora tre dhe të mërkurën para Gjykatës së Hagës do të paraqitet Rexhep Selimin.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.