Koraqi: E vetmja armë që kemi për të luftuar COVID-19 janë masat mbrojtëse, përdorimi i maskës, larja e duarve

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Shefi i shërbimit të mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Andi Koraqi deklaroi sot se vendi nuk duhet të shkojë drejt një izolimi total. Sipas tij, kjo duhet të ndodhë nëse sistemi shëndetësor mund të shkojë drejt kolapsit.

“Sigurisht masat vijnë duke u përshkallëzuar dhe janë indikatorët që e tregojnë se çfarë masash duhet të merrem. Nuk duhet të shkojmë në ezaurimin total të kapaciteteve spitalore, do të ishte një kolaps të sistemit shëndetësor. Masat e karantinimit shkojnë drejt kësaj për të lehtësuar sistemin shëndetësor”, tha Koraqi.

“Mendoj që për momentin nuk është e nevojshme një karantinim total, mjafton të bëhet një reduktim i orareve të bareve dhe restoranteve ose mbyllje e klubeve të natës pasi është gjetur se transmetimi më i madh ndodh në këto nivele, në klubet e natës, baret dhe restorantet”, tha Koraqi.

Koraqi tha se ende nuk ka një evidencë që flet për rritje të numrit të infektimeve për moshën 10-14 vjeç. “Kemi një numër konstant edhe pse janë hapur shkollat”, tha ai.

I pyetur se kur mund të qetësohet situata nga virusi, mjeku tha është shumë e vështirë të bëhet ky parashikim.

Shefi i shërbimit të mikrobiologjisë në QSUT, Koraqi e ripërsëriti apelin drejtuar qytetarëve për zbatim me rigorozitet të masave që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Njohuritë janë shtuar, por nuk mund të themi se dimë gjithçka për këtë virus, për faktin që ende nuk ka një vaksinë apo medikament që e lufton në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndaj ne sot ndodhemi njësoj si para fillimit të pandemisë ku nuk kemi asnjë armë ta luftojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë virusin. E vetmja gjë që kemi janë masat mbrojtëse parandaluese si përdorimi i maskës, larja e duarve dhe masave të tjera parandaluese”, deklaroi Koraqi.

Koraqi theksoi se sipas parashikimeve të shkencëtarëve tremujori i parë i vitit të ardhshëm shënon përfundimin e vaksinës së parë dhe fillimin e vaksinimit të popullatës.

Sipas tij, nga 170 vaksina që po zhvillohen rreth 40 prej tyre janë drejt përfundimit. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.