PS motori i ndryshimit/ Veliaj: Teksa ne japim përditë nga një shtëpi, Mona dhe Luli nuk strehuan një njeri

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Nga fushat e reja të sportit në Laprakë, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Njësisë 11 për një mandat të tretë qeverisës për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Në fjalën e tij, Veliaj tha se “qëllimi i Edi Ramës dhe PS-së është të transformojë Shqipërinë nga cepi në cep”.

“Partia Socialiste e Shqipërisë është motori i ndryshimit, që sot është i prekshëm në Laprakë, në Kodër Kamëz dhe në të gjithë Shqipërinë. Ne do të vazhdojmë përpara kudo me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, – tha Veliaj.

Më tej, Veliaj duke folur për opozitën jashtëparlamentare u shpreh se “e keni parë që pasi iu sulën shkollave, tani iu sulën shtëpive, rrinë tërë ditën tek “5 Maji”, ku kanë filluar themelet e shtëpive të reja. Rrinë tërë ditën aty dhe mundohen të injektojnë frikë, përçarje, dyshim, shpifje”.

“Teksa ne japim përditë nga një shtëpi, përditë fillojmë një punë të re, dy familjet më të pasura të Shqipërisë, familja e Monës dhe familja e Lulit, nuk strehuan një njeri, nuk dhanë një palë çelësa. Kanë bërë para pa fund, kanë shtuar vila pa fund”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje demokratëve dhe anëtarëve të LSI-së që janë zhgënjyer nga Basha dhe Kryemadhi, t’i bashkohen PS-së.

“Kur ishim në Farkë, takuam kryetarin e PD-së, i cili na tha: Do të bëhem me ju se më bëtë shtëpinë, do bëhem me ju se u interesuat kur ra tërmeti. Partisë time nuk i ra në mend a jam gjallë, a kam vdekur. I thashë, normal, Lul Basha u bë me 4 vila nga tërmeti, hapi edhe panik tek pallati vet, ndërkohë që pallatin e ka për bukuri”, deklaroi Veliaj. /k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.