TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë sot në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të SEECP për të biseduar për mënyrat e reja të bashkëpunimit në luftën kundër COVID-19.
Mbledhja e ministrave të Jashtëm u zhvillua në Antalia, me ftesë të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
Cakaj informoi se në këtë takim u theksua domosdoshmëria e një bashkëpunimi të thelluar politik dhe institucional mes vendeve të Europës Juglindore.
“Bashkëpunimi synon rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, shtimin e cilësisë së burimeve njerëzore, zhvillimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe forcimin e lidhjes në fushën e turizmit, arsimit dhe kulturës”, tha Cakaj.
Ai siguroi se “Shqipëria do të vazhdojë pjesëmarrjen aktive dhe kontributin përmbajtësor në nismat e bashkëpunimit rajonal”.
/m.m/j.p/r.e/