Tabaku: Në kantieret e Rindërtimit nuk punohet, janë ndërtuar vetëm 48 shtëpi nga 3389 të kontraktuara

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, një vit pas tërmetit të 26 nëntorit janë ndërtuar gjithsej 48 shtëpi nga 3389 të kontraktuara për rindërtim.

Tabaku publikoi disa pamje të filmuara sipas saj, “sot në mëngjes në dy nga kantieret imagjinare të Rilindjes, ku ndërtohen shtëpi imagjinare, rrugë dhe porte në 3D apo aeroporte qe duhet të kishin përfunduar vite më parë”.

“Por sapo kamerat largohen nga kantieret imagjinare, gjithçka i rikthehet heshtjes dhe shesheve të premtimeve të pambajtura”, tha ajo.

“Fakt mbetet që një vit pas tërmetit janë ndërtuar gjithsej 48 shtëpi nga 3389 të kontraktuara për rindërtim. Sikundër lagjet e reja apo aeroportet anë e mbanë Shqipërisë ekzistojnë vetëm në një folder special në USB-në e Arben Ahmetaj”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, “premtimet e pambajtura dhe kjo qeveri janë binom i pandashëm. Sado të mundohen, videomontazhet nuk e fshehin dot dështimin dhe korrupsionin që ka shoqëruar në çdo hap procesin e rindërtimit”.

Tabaku u ndal edhe tek procedura e shembjes së gjimnazit “Sami Frashëri” duke i drejtuar kryetarit të bashkisë disa pyetje që tha ajo, kanë mbetur ende pa përgjigje.

“A u rehabilitua “Sami Frashëri” pak muaj para se të shembej ndonëse EV tha që do rrojë me vite? Me çfarë fondesh po ndërtohet “Sami Frashëri”? Veliaj dhe Ahmetaj thanë me fonde të BE, ndërkohë që BE thotë që nuk po ndërton asnjë shkollë në Tiranë me fondet e saj? A është shpallur në buletinin e datës 27 mars projektimi i ndërtimit të shkollës “Sami Frashëri” dhe anuluar më datë 21 prill? Që do të thotë se kur u prish me datë 24 prill nuk kishte një projekt. Në ç’sirtar ka përfunduar procedura e përfunduar e tenderit për shkollën “Sami Frashëri”? Pse nuk është bërë publike? Rama dhe Veliaj duhet ta kenë dhe përgjigjen pse shkollat e tyre janë me kosto 4,5 mln euro dhe të BE 700 000 euro”, tha Tabaku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.