Qeveria e Kosovës: Askush nuk mund ta gjykojë luftën tonë për liri

PRISHTINË, 5 nëntor/ATSH/- Qeveria e Kosovës ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-krye parlamentarit Jakup Krasniqi.

Në një deklaratë për shtyp, Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se “po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë. Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”, theksohet në deklaratë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë.

“Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”, thekson Qeveria e Kosovës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.