Pas Jakup Krasniqit, drejt Hagës edhe ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi

PRISHTINË, 5 nëntor/ATSH/- Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi do të udhëtojë sot drejt Hagës, pasi mbrëmë iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.

Duke bërë të ditur konfirmimin e aktakuzës nga Gjykata Speciale, Selimi shprehet se në Hagë do të udhëtoj me kokën lart dhe kurdo që kthehet do të kthehet po ashtu me kokën lartë.

“Jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, shprehet ai.

Selimi thekson se “ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka. Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”.

​Para nisjes për në Hagë, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri homazhe tek varri i Astrit Deharit në katër vjetorin e vdekjes së tij.

Një ditë më parë drejt Hagës u nis edhe Jakup Krasniqi pasi forcat e shumta policore nga njësia EULEX-it, bastisën shtëpinë e tij në Prishtinë dhe në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.