Jo vetëm miku më i mirë, por edhe më i vjetri

ANKARA, 31 tetor /ATSH-AA/ – Një studim i ADN-së tregoi se qentë nuk janë vetëm miqtë më të mirë të njeriut, por njëkohësisht edhe miqtë më të vjetër të tyre në mesin e kafshëve.

Studimi, rezultatet e të cilit u publikuan në revistën “Science”, zbuloi se gjurma e zbutjes së qenve daton para 11 mijë viteve, nga fundi i Epokës së fundit të Akullnajave.

Gjetjet konfirmojnë se qentë janë zbutur shumë më herët sesa ndonjë lloj tjetër kafshe. Një ekip ndërkombëtar ka studiuar të gjithë gjenomët e mbetjeve të 27 qenve të lidhur me kultura të ndryshme të vjetra, të cilët janë krahasuar edhe njëra me tjetrën por edhe me qentë e kohës moderne.

Më tutje, gjetjet tregojnë se qentë në atë periudhë kanë qenë të përhapur në Hemisferën Veriore, si dhe në pesë lloje të ndryshme.

“Njerëzit kanë zbutur një mishngrënës të egër, ujkun që në shumë rajone të botës frikësohet nga ai. Pyetja e vërtetë është njerëzit pse e kanë bërë këtë? Si ndodhi kjo? Kjo është ajo për të cilën interesohemi”, theksoi Pontus Skoglund nga ekipi hulumtues./  /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.