Programi i Rindërtimit/ Ahmetaj: Të angazhuara me projekte konkrete janë 20 miliardë lekë

TIRANË, 16 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se “nga gjithë buxheti i rindërtimit që është 34 miliardë lekë janë alokuar të gjitha fondet dhe kanë mbetur pa alokuar vetëm 300 milionë lekë”.

Ndërkohë, ministri theksoi se “të angazhuara në projekte konkrete dhe me pagesa në shtëpi janë gati 20 miliardë lekë ose gati 200 milionë dollarë”.

Nga Kashari ku dy familje të tjera morën çelësat e shtëpive të reja, Ahmetaj tha se “bashkia e Tiranës sot ka një parti të dytë deri në 2 mijë shtëpi të tjera, përveç atyre që janë vlerësuar”.

“Vetëm për DS1 dhe DS3 janë aprovuar 9.6 miliardë lekë grante dhe janë dorëzuar në familje sot nga bashkitë 60 milionë dollarë ose 6 miliardë lekë”, tha Ahmetaj.

Ministri theksoi se “nga gjithë buxheti i rindërtimit që është 34 miliardë lekë, ku 31 miliardë lekë janë me fonde të brendshme dhe pjesa tjetër me donacione, sot të paalokuara në projekte ka vetëm 300 milionë lekë, të gjitha janë alokuar”.

“Këtu nuk po flas fare për fondet e KE-së dhe donatorët e tjerë”, tha Ahmetaj. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.