Meta dhe zëdhënësit përdorin gjuhë urrejtje, në 25 prill do të marrin përgjigje

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, theksoi sot se “ligji për mbrojtjen nga diskriminimi është një detyrim që na lind edhe nga marrëdhënia jonë e re me partnerët tanë konkretisht me Bashkimin Europian, edhe pse ky ligj nuk është i ri implementohet prej 10 vitesh në Shqipëri, por konteksti social dhe ekspozimi i pabarazive shoqërore të reja sjell nevojën për adresime dhe ndryshime në këtë ligj”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali tha se “ndryshimet e parashikuara rregullojnë gjithçka si nga pikëpamja e përfshirjes së diskriminimeve të reja dhe adresimit të tyre përmes ligjit, por edhe institucionalisht përmes adresimit të çështjeve zyrtarisht”.

“Po të shohësh zbatimin e ligjit për sa i përket praktikave është më i avancuar se sa gjuha e urrejtjes në institucionet më të larta të shtetit nga ku buron një krontradiktë shumë e lartë shoqërore për sa i përket marrëdhënieve me gratë, komuniteteve me ngjyrë dhe komuniteteve të tjera vulnerabël e të margjenarizuara”, – u shpreh Spiropali.

Më tej ministrja Spiropali tha se “dua të ndalem tek diskriminimi gjinor, që e gjen jo vetëm tek bodrumi i llumieve të rrjeteve sociale, por në krye të shtetit shqiptar nga institucioni i Presidentit të Republikës,  Unë jam një ministre, grua, deputete nënë që jam përballur me personin që luan rolin e institucionit të Presidentit, por ka dalë në fushatë. Jo vetëm zëdhënësi i tij zyrtar, grupi afër tij apo partia që ka degraduar, por vetë Presidenti përdor gjuhë urrejtje. Nuk është puna për mua, unë di të mbrohem, nuk më heshtin dhe intimidojnë, do vazhdoj të bëj punën time më fort. Është puna e shembullit që jep Presidenti për gratë, vajzat dhe qytetarët që duan të kenë institucione normale, që mos përdorin gjuhë misogjene, seksiste, diskriminuese”.

“Si ka mundësi të bjerë në nivele të tilla jo vetëm komunikimi i Presidentit, por edhe zyrtarisht i institucionit, jo vetëm i Ilir Metës, por edhe zëdhënësve zyrtarë të Presidentit. Në ’99 jam larguar nga Shqipëria kur Ilir Meta dhe kryetarja e LSI vidhnin votat në FRESSH dhe PS, unë jam larguar me bursë të plotë nga Shqipëria si një nga gjimnazistet më të mira dhe jo me paratë e babait në Londër. Diferenca është shumë e madhe dhe duhet theksuar se s’mund të guxojë një njeri që ka marrë peng gjithçka në këtë vend, përfshirë edhe Presidencën, të thyejë çdo konventë, ligj, çdo kod moral”, nënvizoi Spiropali.

Spiropali u shpreh se “Meta të ulet e të lexojë konventat, bashkë me ata që kanë dalë mendsh dhe t’i bëjë të lexojnë se çfarë është të përdorësh gjuhë diskriminuese. E kanë nga dëshpërimi. Ne do luftojmë, po luftojmë dhe do luftojmë për një Shqipëri europiane ku këto sjellje s’kanë vend, do luftojmë për reformën në drejtësi. Do luftojmë për trashëgiminë kulturore dhe historike. Nuk na mposhtin dot, sepse qytetarët që na votojnë nuk janë mesjetarë. Të jenë të sigurt që jo vetëm gratë e kësaj qeverie që i quajnë rëndom kukulla, e godasin në thelb reformën më të rëndësishme dhe arritjen më të madhe të kësaj mazhorance, pasi kemi kaluar 25 ligje të paktën për barazi gjinore, sepse ka gra deputete e ministre që kanë punuar jo duke bërë zhurmë, por duke bërë punë”.

“Kjo është arritja jonë e mazhorancës dhe s’mund ta zhbëjnë ata dhe në 25 prill do e marrin përgjigjen për gjuhën e tyre”, – tha Spiropali./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.