BRUKSEL, 14 tetor /ATSH-AA/ – Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) do të mblidhen në Bruksel për të diskutuar kryesisht çështjet për koronavirusin e ri (COVID-19) dhe marrëdhëniet e bllokut me Britaninë e Madhe pas Brexit-it.
Takimi i samitit të liderëve të BE-së do të fillojë nesër dhe do të zgjasë dy ditë.
Në ditën e parë të samitit do të diskutohet për negociatat se si do të vazhdojnë marrëdhëniet mes BE-së dhe Britanisë së Madhe pas Brexit-it.
Kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, do të informojë liderët rreth situatës së fundit të negociatave që vazhdojnë.
BE vendos theksin mbi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, por thekson se nuk do të nënshkruajë me çdo kusht një marrëveshje.
Liderët në darkën e punës do të diskutojnë për çështjen e klimës dhe mjedisit.
Komisioni i BE-së ka një objektiv që deri në 2030 të ulë të paktën 55% emetimin e gazit serë, ndërsa deri në 2050 formimin një kontinenti të padëmshëm për klimën.
Vendet e BE-së kryejnë bisedime për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit për këto çështje.
Ndërsa në ditën e dytë në samitin e liderëve të BE-së do të diskutohen kryesisht për marrëdhëniet e jashtme. Në takimin ku do të diskutohen marrëdhëniet mes Afrikës dhe BE-së, do të diskutohet edhe për marrëdhëniet e tjera të jashtme.
Në samit pritet që të sillen në rendin e ditës nga liderët çështje të tilla si situata në Mesdheun Lindor, Nagorni-Karabah, Bjellorusia dhe Rusia.
Së fundmi do të bisedohet për pandeminë COVID-19 dhe rastet në rritje në mbarë Europën.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, do të informojë liderët në lidhje me koordinimin mes vendeve të BE-së në luftën kundër pandemisë dhe kufizimet e udhëtimit./ /ec/