COVID-19 – India drejt thyerjes së të gjitha rekordeve

NJU DELHI, 3 tetor /ATSH-AFP/ – Numri i të vdekurve lidhur me koronavirusin në Indi kaloi sot pragun prej 100 000, sipas shifrave zyrtare, gjë që e bën Indinë vendin e tretë për sa i përket numrit të viktimave nga COVID-19 pas SHBA-së dhe Brazilit. 

Një total prej 100 842 të vdekur janë regjistruar, sipas shifrave të Ministrisë indiane të Shëndetësisë. Pandemia vazhdon të shkaktojë shumë viktima në Indi, vendi i dytë më i populluar në botë me 1,3 miliardë banorë.

Me 6,47 milionë raste India zë vendin e parë.

Sidoqoftë, fakti që popullsia e Indisë është katërfishi i popullsisë amerikane, ndërkohë që SHBA-ja ka dy herë më shumë viktima se India, ngre dyshime për saktësinë e shifrave indiane.

“Ne nuk e dimë se sa të besueshme janë shifrat e vdekjeve në Indi”, theksoi virologu, Jacob John.

“India nuk ka një sistem të mbikëqyrjes së shëndetit publik që do të dokumentonte të gjitha rastet e sëmundjes dhe vdekjes në kohë reale”, shtoi ai.

Megjithëse autoritetet indiane kryejnë rreth një milion teste në ditë, si përqindje e popullsisë shkalla e testimit të Indisë është shumë më e ulët se ajo e shumë vendeve të tjera./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.