Balla: Kundërshtari jonë nuk janë Meta e Basha, por punonjësit e shtetit që nuk e kryejnë detyrën siç duhet

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Nga një godinë e shkatërruar, aspak e denjë dhe e përshtatshme për të dhënë shërbim ndaj qytetarëve, godina e njësisë administrative Klos, Cërrik është rikontruktuar totalisht dhe tashmë është në dispozicion të qytetarëve.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Elbasan Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Cërrikut, Andis Salla inspektoi punimet e kryera ndërsa kërkoi korrektësi dhe shërbim cilësor ndaj qytetarëve.
“Asnjë punonjës i shtetit nuk do të tolerohet, në rast se abuzon me detyrën dhe nuk jep shërbimin e duhur ndaj qytetarëve.
Përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve për ne është parësor. Çdo ditë pranë këtyre njësive vijnë qytetarë që marrin shërbime, por edhe kërkojnë përgjigje për një problematikë të caktuar.
Çdo qytetar duhet të pritet, të dëgjohet dhe të marrë një përgjigje, qoftë edhe kur problem i tij ligjërisht nuk mund të zgjidhet.
Në rast se qytetari nuk merr shërbimin që meriton, atëherë punonjësi duhet të shkojë në shtëpi dhe në vend të tij vjen një tjetër që di t’u japë shërbim qytetarëve.
Ky duhet të jetë parimi me të cilin ne të ndërtojmë të gjithë marrëdhënien tonë me shërbimet publike” , deklaroi Balla.
Sipas Ballës PS është zgjedhur pikërisht, sepse në vitin 2017 ndërtoi një aleancë me qytetarin.
“Që ta ruajmë këtë aleancë me qytetarin ne duhet të ofrojmë shërbimet publike sipas pritshmërive të njerëzve.
Kundërshtari ynë më i madh nuk janë as Meta, as Basha, por ata punonjës të zyrave të shtetit që nuk e kryejnë detyrën siç duhet. Pikërisht ndaj këtyre punonjësve ne duhet të jemi shumë të rreptë.
Gjyqtar më të mirë se populli nuk ka dhe populli do të na gjykojë të gjithëve në 25 Prill. Populli do të dijë të ndajë shapin nga sheqeri dhe t’i japë Edi Ramës një mandat të tretë për të qeverisur së bashku me njerëzit”, përfundoi Balla.
Në njësinë administrative Klos marrin shërbim 4500 qytetarë. Bashkia e Cërrikut tashmë është e fokusuar në rritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve si në qytet, ashtu edhe në fshat.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.