TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Programi i formimit përmes punës i jep mundësi të gjithë personave që nuk kanë një zanat, apo nuk kanë patur një punë të mëparshme për t’u integruar në tregun e punës.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen deklaroi sot se ky program është 12-mujor dhe iu mundëson këtyre individëve fillimisht formimin profesional në ambientet e biznesit dhe më pas punësimin e financuar nga shteti në masën e pagës minimale.
“Gjatë një periudhe 4-mujore individët përfitojnë pagën minimale, ndërsa punëmarrësit i lehtësohet barra e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë periudhën 12 mujore”, tha Sorensen.
Sipas Sorensen, qeveria ka parashikuar mbështetje financiare edhe për mbikëqyrësin, apo trajnuesin e këtyre personave.
Nga ky program, çdo biznes mund të përfitojë mbështetje për punësimin e deri 21 personave.
Deklarata e zv.ministres u bënë gjatë një aktiviteti për prezantimin e programeve të punësimit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama./a.gjonaj/j.p/r.e/