Durrës/ Ritme të larta pune për riparimin e plotë të godinës së shërbimit të transportit rrugor

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Një tjetër investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ka marrë jetë, duke pasur në fokus përmirësimin e mjediseve të punës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Në DRSHTRR Durrës po vijon me ritme të larta puna për riparimin e plotë të godinës, një investim i cili do të bëjë të mundur transformimin e kushteve, në të cilat ofrohen shërbimet për qytetarët pranë kësaj drejtorie.

“Vijon puna në DRSHTRR Durrës për brandimin e objekteve, veshjet strukturore, izolime e sistemime hapësire e jashtme funksionale dhe me çdo element orientues e sinjalistik për një shërbim automotorizimi edhe më dinjitoz si kushte e prezantim”, deklaroi sot kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhja.

Punimet pasohen edhe nga ndërhyrje në ambiente mbështetëse në poligonin e testimit dhe për çlirimin nga kioskat e rrëmuja e trashëguar.

Krahas rehabilitimit të ambienteve, sistemet e reja kompjuterike që do të aplikohen, do të shkurtojnë kohën e pritjes për qytetarët, por njëkohësisht do të lehtësojnë edhe punën e punonjësve të kësaj DRSHTRR-je./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.