TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 191 253 259 lekësh, për financimin e përgatitjes së shesheve të ndërtimit në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Durrës.
Efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020.
Konkretisht, bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 49 633 459 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e shembjeve të objekteve të pabanueshme të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre.
Bashkisë Kurbin i transferohet fondi prej 65 164 800 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e shembjeve të objekteve të pabanueshme të dëmtuara nga tërmeti dhe transportimin e materialeve të dala nga shembja e tyre.
Ndërsa, bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 76 455 000 lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e procesit të transportit të materialeve të dala nga shembja e objekteve të dëmtuara nga tërmeti.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kurbin, Lezhë dhe Durrës. /m.m/j.p/