“Shpifja po bën kërdinë përditë dhe përnatë”/ Adresim sugjerimeve të Komisionit të Venecias për “Antishpifjen”

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në nisje të sesionit të ri parlamentar se duhet të kalohet një herë e më parë ligji “Antishpifje”, me rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me ligjin për mediet.

“Unë e quaj ‘antishpifja’, sepse shpifja këtu duhet adresur ligjërisht kur vjen puna tek mediat online. Fatmirësisht kemi një raport goxha ndihmues të Komisionit e Venecias dhe mbi atë raport duhet të punojmë bashkërisht që të dalim në konkluzionin e duhur këtu në parlament, sepse shpifja po bën kërdinë përditë dhe përnatë”, u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se ka propozime shumë të vlefshme për sa i takon medias publike lidhur me bordin e TVSH-së. “Është koha për bërë një ndryshim radikal me mënyrën sesi konceptohet bordi i TVSH dhe për t’i hapur rrugë të gjithë atyre profileve që faktikisht i sugjeron Komisioni i Venecias si pjesëtar të bordit të TVSH dhe që fatkeqësisht janë përjashtuar me vite të tëra për të kontribuar në këtë institucion të rëndësishëm publik të medias”, theksoi Kryeministri Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.