KOPENHAGË, 5 shtator /ATSH-AFP/ – Një peshk i madh i Atlantikut, dy metra i gjatë, një specie sot pothuajse në zhdukje, u gjet në detin Baltik, në qilarin e një anijeje mbretërore daneze më shumë se 500-vjeçare, sipas një publikimi shkencor.
“Gjatë gërmimeve arkeologjike në 2019, një fuçi prej druri e zhytur në mbetjet e anijes zbuloi mbetjet pothuajse të plota dhe të ruajtura mirë të një peshku të madh”, thekson një artikull i “Journal of Science Arkeological “, shkruar nga studiuesit në Universitetin e Lund, në Suedi.
Zbulimi, i cilësuar unik nga shkencëtarët u bë i mundur në sajë të veçorive të detit Baltik, një det gjysmë i mbyllur ku niveli i oksigjenit është i ulët.
“Anija është në gjendje kaq të mirë për shkak të mjedisit të çuditshëm baltik. Kripshmëria e tij e ulët (…) nuk është e përshtatshme për krimbat detarë, të cilët ushqehen me dru (…). Pjesa e poshtme nga deti është një argjilë e imët, ideale për ruajtjen e lëndës organike, dhe nivelet e ulëta të oksigjenit të tretur ende kontribuojnë në ruajtjen e lëndës organike”, theksoi Brendan Foley i Universitetit të Lundit.
Hans, mbreti i Danimarkës, shkoi në Suedi në verën e vitit 1495 me anijen e tij më të bukur, anijen luftarake më imponuese në rajon, me synimin për të rivendosur bashkimin e tre vendeve skandinave nën qeverisjen e tij.
“Ne e interpretojmë peshkun jo si një dhuratë, por si një manifestim të fuqisë”, shtoi Foley.
“Një interpretim i mundshëm dhe ai që ne preferojmë duke pasur parasysh natyrën politike të të gjithë udhëtimit, është se kjo bënte pjesë në përpjekjen e Hans për të ndikuar në mënyrë delikate fisnikët suedezë për t’iu bashkuar Unionit Nordik”, shtoi ai.
Sovrani nuk ishte në bordin e anijes së tij më të mirë, ”Gribshunden”, kur kjo e fundit, ngarkesa e saj e çmuar dhe një pjesë e ekuipazhit, u dogj afër Ronneby, një qytet bregdetar suedez që më vonë u bë pjesë e Danimarkës./ /ec/