“Shumë faktorë çojnë në rëndimin psikologjik”/ Mjekja Kolovani: Pacientët kanë komunikim të vazhdueshëm me familjarët

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Mjekja e Qendrës Universitare “Nënë Tereza”, Entela Kolovani, duke folur sot për mënyrën sesi trajtohen pacientët e infektuar me COVID-19 në këtë spital dhe se si vendoset të futen në intubim, deklaroi se “ne e informojmë familjarin që kushtet shëndetësore nuk janë mirë dhe pacienti mund të përfundojë në intubim. Mjeku është vetëm duke vepruar, duke bërë procedurën, që është gjithmonë në favor të të sëmurit”.

Në një intervistë televizive, Kolovani e pyetur për ngjarjen e rëndë të ndodhur te Spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi” theksoi se “ka shumë faktorë që çojnë në rëndimin psikologjik të pacientëve, që nga ato që mund të kenë dëgjuar për sëmundjen, vështirësitë që iu shkakton në frymëmarrje, duke bërë që organet, përfshirë edhe trurin, të vuajnë, apo edhe mungesa e familjarëve”.

Sipas saj, pacientët lejohen të mbajnë telefona me vete dhe të bëjnë telefonata apo edhe video-call me familjarët, por kur gjendja e tyre rëndohet, e kanë të pamundur ta përdorin telefonin.

“Ka mjaft faktorë që mund të shoqërohen edhe me një ndryshim psikologjik të këtyre pacientëve. Në radhë të parë është vetë sëmundja, që duke u shoqëruar me vlera të ulëta të oksigjenimit në gjak, ky gjak i paoksigjenuar që përhapet në të gjitha organet e trupit bën që këto organe të vuajnë. Të njëjtën gjë bën edhe truri, që nëse nuk oksigjenohet mjaftueshëm, vuan. Në këtë mënyrë, pacienti në momente të caktuara mund të shfaqë ndryshime të sjelljes, që lidhet direkt me sëmundjen. Por, edhe mungesa e familjarëve, terapia intensive, ajo që kanë dëgjuar mbi sëmundjen, janë faktorë të tjerë që mund të çojnë në ndryshime psikologjike të pacientëve. I gjithë personeli mjekësor është pranë këtyre pacientëve 24 orë në ditë, kemi edhe psikologë, mjekë reanimatorë e infektologë, një numër të madh infermierësh, që asistojnë pranë të sëmurëve”, – nënvizoi Kolovani.

E pyetur nëse është parë e nevojshme që të kontaktohet me një psikiatër për këta pacientë, mjekja tha se “sigurisht që iu kemi bërë konsulta”.

“Kur pacienti paraqet probleme ekstreme, për t’i bërë një qetësim të lehtë nga ana psikologjike. Kur pacientët paraqiten për shtrim kanë me vete telefonat e tyre, me të cilët komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me familjarët. Në asnjë moment ne s’i kemi penguar telefonat, por është vetë sëmundja, që ua bën të pamundur komunikimin pacientëve. Gjithsesi ne kemi një numër telefoni të familjarëve për çdo pacient, për të dhënë një informacion të shkurtër lidhur me situatën e tyre”, u shpreh mjekja.

“Shpesh pacientët bëjnë video-call me familjarët e tyre. Çdo ditë ne komunikojmë duke dhënë informacion për çdo pacient. Nëse kemi ndryshim dhe agravim të situatës, sigurisht që bëhet në çdo moment komunikimi te familjarët. Për pacientët në gjendje stabël, komunikimi është 1 herë në 24 orë. Në spital nuk mungon uji, ne nuk kemi kërkuar që familjarët të sjellin ujë. Kemi lënë një orar, kur ata mund të sjellin ndërresa. Për ujin, ushqimin e pjesën tjetër është i plotësuar nga spitali”, u shpreh ajo.

Në lidhje me pyetjen nëse merret miratimi i familjarëve për të intubuar pacientin, Kolovani tha se “kur kemi ngjarje të reja me pacientin, sigurisht që bëhet informimi. Ne e informojmë familjarin që kushtet shëndetësore nuk janë mirë dhe ai mund të përfundojë në intubim. Mjeku është vetëm duke vepruar, duke bërë procedurën, që është gjithmonë në favor të të sëmurit”.

Sa i përket personelit sa mjekë e infermierë janë në turn, mjekja shprehet se “kemi një staf shumë të madh infermieror, që i shërben të sëmurëve”.

“Në çdo pavijon, minimumi në çdo turn janë 8 infermierë. Janë edhe tre mjekë roje e tre mjekë informatorë, si dhe gjatë paradites i gjithë stafi. Është një staf shumë i madh, që punon në ndihmë të këtyre pacientëve”, tha Kolovani.

“Nuk vuajmë për mungesë personeli, është situata e të sëmurit ndonjëherë që na bën të ndihemi jo mirë, sidomos kur pacientët tanë nuk marrin atë drejtim që duhet, me gjithë ndihmën që po ju japim që nga marsi”, – tha Kolovani./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.