Verifikimi i gjendjes së automjeteve/ Gonxhe: Synojmë përdorimin e teknologjisë së avancuar

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor po synon përdorimin e teknologjisë së avancuar për verifikimin e gjendjes së automjeteve pa e ndaluar domosdoshmërisht atë në kohën që është në qarkullim.

Drejtori i Përgjithshëm i DSHPTRR, Blendi Gonxhja, deklaroi sot se “verifikimi në kohë reale, pa e ndaluar domosdoshmërisht mjetin në qarkullim, për detyrime administrative, kolaudim teknik, licenca ose autorizime të ndryshme transporti, të dhëna dalluese e karakteristika konstruktive është një prioritet sot për automotorizimin shqiptar në bashkëpunim me strukturat e Taskforcës së Transportit Rrugor dhe Policinë e Shtetit e Policinë Rrugore”.

“Po simulojmë e njihemi me pajisje e mjete logjistike të avancuara për kontrolle informatike e digjitale, komunikuese me sistemet operative të DPSHTRR dhe të çdo institucioni (së afërmi edhe platformave si CITA, etj) që do modernizojnë, rrisin transparencën dhe shumëfishojnë rendimentin e verifikimit në terren/në qarkullim të mjeteve kundravajtëse që llogariten në një numër potencialisht të lartë, pa licenca, pa dokumentacion, pa kolaudim, pa sigurim të detyrueshëm, me takograf jashtë norme, pa taksa, etj.”, – nënvizoi Gonxhe.

Kreu i DSHPTRR-së Gonxhe tha se “DPSHTRR po punon që të mundësojë ekspertizë dhe ndihmë logjistike për grupet e përbashkëta të kontrollit rrugor me Policinë e Shtetit por dhe me Policitë Bashkiake, me mjete matëse, lexuese, identifikuese edhe në ecje e të lidhura me databazat zyrtare, vendase e të huaja online, përmes AKSHI-t dhe të instaluara në mjete të loguara, për kontroll të flotës vendase ose me targa të huaja”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.