PEKIN – Rikthim gradual i fluturimeve ndërkombëtare

PEKIN, 2 shtator /ATSH-AFP/ – Kina njoftoi sot një rifillim progresiv të fluturimeve ndërkombëtare drejt Pekinit në kuadër të përmirësimit shëndetësor, pas një reduktimi drastik të linjave ajrore me jashtë në fillim të vitit për shkak të epidemisë.

Gjiganti aziatik, ku koronavirusi i ri u shfaq në fund të vitit 2019, ka mbyllur kufijtë në fund të marsit, ndërkohë që epidemia u përhap në shumë vende.

Në atë kohë qeveria kineze kishte kufizuar linjat ndërkombëtare të çdo kompanie ajrore në një në javë dhe për çdo vend. Në praktikë, me disa përjashtime, vetëm shtetasit kinezë mund të hynin në Kinë.

Një lehtësim është vërejtur javët e fundit, por fluturimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare në kryeqytet deri më tani nuk janë të lejuara. Kompanitë duhej të zbarkonin në një qytet të tretë si Shangai (lindje), Xian ose Tianjin (në veri), ku udhëtarët iu nënshtruan testeve të zbulimit përpara se të vendoseshin në karantinë për dy javë.

“Nga 3 shtatori, fluturimet tregtare ndërkombëtare në Pekin (…) gradualisht do të rinisin,” theksoi Administrata e Aviacionit Civil të Kinës (CAAC) në një deklaratë.

Masa fillimisht do të zbatohet për tetë vende që vlerësohen të jenë mesatarisht të rrezikuara si Tajlanda, Kamboxhia, Pakistani, Greqia, Danimarka, Austria, Suedia dhe Kanada.

Pasagjerëve do t’u kërkohet të paraqesin një test anti-COVID-19 përpara se të nisen për në Kinë dhe do t’u nënshtrohen masave të rrepta shëndetësore, përfshirë një karantinë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.