ZVICËR – OBSH nis vlerësimin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit

GJENEVË, 27 gusht /ATSH-AFP/ – Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), e akuzuar nga SHBA për keqmenaxhim të pandemisë COVID-19, njoftoi sot krijimin e një komiteti për të vlerësuar efikasitetin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (RSI) përballë urgjencave.

“Më herët sot, unë njoftova vendet anëtare të OBSH-së që synoja të krijoja një Komitet Shqyrtimi për të më këshilluar mbi nevojën e mundshme për të modifikuar RSI-në, në mënyrë që ky mjet i fuqishëm ligji ndërkombëtar të jetë sa më efikas që të jetë e mundur”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus për mediat.

“Komiteti, i përbërë nga ekspertë të pavarur, do të paraqesë një raport të përkohshëm në nëntor dhe një raport të plotë në maj”, sqaroi ai.

RSI 2005, që hyri në fuqi në vitin 2007, është një marrëveshje ndërkombëtare për sigurinë shëndetësore globale.

Në veçanti, ajoi rregullon deklarimin e një urgjence shëndetësore shqetësimi ndërkombëtar dhe, gjithashtu, përfshin masat specifike që duhet të zbatohen në porte dhe aeroporte, si edhe në vendkalimet kufitare, në mënyrë që të kufizojnë përhapjen e rreziqeve./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.