Mbështetja nga Skema Kombëtare/ Mbi 2 mijë fermerë përfitues deri tani

TIRANË, 24 gusht/ATSH/- Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po vijon me disbursimin e fondeve për fermerët të cilët kanë aplikuar dhe janë shpallur fitues si përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në bujqësi dhe blegtori për vitin 2020.

AZHBR bën të ditur se  “deri në datë 21 gusht 2020 janë kryer pagesat për 2 292 fermerë përfitues me një vlerë prej 474 473 090 lekë”.

Buxheti i shtuar nga qeveria, prej 400 milionë lekë, në mbështetje të subvencionimit të fermerëve për vitin 2020, ka shumëfishuar numrin e aplikimeve të kualifikuara nga Skema Kombëtare, në të shtatë masat mbështetëse.

Skema Kombëtare në Bujqësi për vitin 2020 mbështet fermerët për  tufën bazë të matrikulluar, në bletari,  financime për zëvendësim plastmasi termik, mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, mbështetje për fermat organike, certifikimi Global Gap si dhe për investimet në agroturizëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.