Organizuan dasma në shkelje të masave antiCOVID/Gjobiten me nga 1 milion lekë pronarët në Fier, Berat dhe Fushë-Krujë

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Policia e Shtetit ka gjobitur me nga 1 milion lekë gjobë tre administratorë lokalesh në Berat, Fier dhe Fushë-Krujë për shkelje të masave të marra nga qeveria në luftën ndaj parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Policia e Shtetit bën të ditur se “policia e Beratit ka ndëshkuar me 1.000.000 lekë gjobë, pronarin e një restoranti, pasi u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në rrugën Berat-Urë Vajgurore, një restorant në të cilin po organizohej ceremoni martesore, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të restorantit, shtetasit K.B., masën administrative 1.000.000 lekë”.

Ndërsa shërbimet e Policisë në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar në Fushë-Krujë, një lokal që kishte organizuar dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar distancën e sigurisë midis personave. Për këtë subjekt me administrator shtetasin I.T., shërbimet e Policisë kanë vendosur masën administrative 1.000.000 lekë.

Edhe policia e Fierit ka ndëshkuar me nga 1.000.000 lekë gjobë, administratorët e katër restoranteve, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar katër restorante në të cilët ishin organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.  Shërbimet e Policisë i kanë vendosur administratorëve të këtyre subjekteve, shtetasve R.N., A.T., V.P. dhe K.K., masën administrative 1.000.000 lekë secilit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.