Kosovë/ COVID-19 pamundëson faljen e namazit të Kurban Bajramit në xhami, apel që të shmangen vizitat familjare

PRISHTINË, 31 korrik/ATSH/-Besimtarët myslimanë në Kosovë, nuk kanë mundur të falin sot namazin e Kurban Bajramit për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë COVD-19.

Përveç ezanit, në Xhaminë e Madhe, që herët e kaluara ishte epiqendra e kësaj feste, nuk është parë lëvizje e besimtarëve.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një adresim para mediave gjatë së enjtes ka konfirmuar se për shkak të gjendjes së rënduar me COVID-19 nuk do të falet namazi i Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.

Po ashtu për 10 ditë do të pezullohen edhe namazet nëpër xhamitë e vendit. Ai ka thënë se këtë hap e kanë ndërmarrë për të ruajtur shëndetin publik. Po ashtu Tërnava ka bërë apel që të mos ketë as vizita familjare.

“BIK-u ka analizuar situatën e cila po mbretëron edhe në Kosovën tonë e goditur pamëshirshëm nga ky virus Covid-19, edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë së saj u diskutua rreth këtij problemi kaq të madh që tashmë është prezent edhe në mesin e qytetarëve tanë. Andaj BIK-u lajmëron të gjithë besimtarët se pezullohet falja e namazit të Kurban Bajramit dhe për 10 ditë rend pezullohen faljet nëpër xhamitë e Kosovës. Sigurisht me të vetmin qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Tërnava tha se ky është një ndër vendimet më të dhimbshme që ka ndërmarr BIK-u, por që është mëse i duhur, në këtë kohë pandemie. Ai tha se ruajtja e shëndetit publik është edhe obligim hyjnor.

Myftiu Tërnava ka ftuar të gjithë qytetarët që të ruajnë karakterin festiv të festës, por në këtë kohë pandemie të kenë më shumë mirëkuptim, disiplinë, solidaritet, mbështetje e përkujdesje për ata që kanë nevojë, e sidomos për ata që po sprovohen më virusin COVID-19.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.