TIRANE, 6 korrik/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu sot trishtimin për ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë.
“Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm”, tha ajo.
Sipas Manastirliut, dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në Spitalin Infektiv”.
“Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu”, tha ajo.
Edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të dr. Hysni Shkjau.
Basha shprehet se “ndarja nga jeta e dr. Hysni Shkjaut është një dhimbje e madhe për familjen dhe miqtë e tij dhe një humbje e pazëvendësueshme për qytetarët e Pukës të cilëve ai u shërbeu me përkushtim për 40 vite.
“E sotmja është një ditë zie për personelin shëndetësor në vend, që mes përballjes të vështirë me pasojat e COVID-19, humbi sot dhe një mjek që jetën dhe profesionin e vuri në mbrojtje të qytetarëve. Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjen e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të madh të Pukës që do ta nderojë dhe kujtojë përherë veprën e tij. U prehtë në paqe”, shprehet ai
/m.m/i.v/j.p/r.e/