TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Analizat e Sigurisë Ushqimore në vendin tonë po kryhen më në fund sipas standardeve kudo në BE.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga laboratori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).
“49 teste të reja të akredituara, që garantojnë produktet që konsumojmë brenda vendit dhe eksportojmë në tregjet jashtë. Siguria ushqimore po fuqizohet dita-ditës dhe do të vijojë të jetë prioriteti ynë”, – thekson Rama.
Testet e akredituara janë indikatori i matjes së besueshmërisë së rezultatit lidhur me kontrollet mbi cilësinë e produkteve dhe nënprodukteve shqiptare ose atyre të importuara.
Konkretisht këto teste të reja përfshijnë kontrollin e mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore dhe shtazore. Përmes tyre identifikohen Histamina, Aflatoksina, Salmoneloza, Enterobakteret, metalet e ndryshme, aciditeti i vajit të ullirit etj.