SHBA – Sektori privat shtoi rreth 2,4 milionë vende pune në qershor

UASHINGTON, 1 korrik /ATSH-DPA/ – Sektori privat amerikan shtoi gati 2,4 milionë vende pune në qershor, sipas një raporti mujor të bërë nga kompania e pagave “ADP”, i publikuar sot.

Raporti bëri një rishikim masiv të të dhënave të majit, duke ndryshuar shifrën e vendeve të punës nga një humbje prej rreth 2,76 milionë në një fitim me mbi tre milionë.

“Disa nga përfituesit më të mëdhenj muajin e kaluar ishin punët që u goditën më shumë nga shpërthimi i koronavirusit, përfshirë punësimin në sektorët e mikpritjes dhe të ndërtimit”, shkruhet në raport.

Rihapja e ekonomisë amerikane po pengohet nga një rritje e rasteve të reja të COVID-19 në shtetet jugore dhe jugperëndimore, duke kërcënuar rimëkëmbjen nga recesioni.

Ekonomistët presin që niveli i papunësisë të ndryshojë pak nga niveli prej 13,3 % i muajit të kaluar./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.