Investimi për vaditjen e tokave bujqësore/ Balla: Përfitojnë 380 ha në fshatin Kuturman në Librazhd


TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Fermerët e fshatit Kuturman në Librazhd tashmë mund të vadisin tokat bujqësore falë investimit të bashkisë dhe Ministrisë së Bujqësisë për kanalet vaditëse, prej të cilit përfitojnë 380 ha tokë bujqësore.

Kanali i dikurshëm, që merrte ujin nga malet dhe e sillte në Kuturman kishte dalë jashtë funksionit. Për shkak edhe të terrenit të vështirë, investimi tashmë është bërë me tuba të cilët janë nën tokë dhe si rrjedhojë jetëgjatësia e këtij investimi do të jetë më e madhe.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra inspektuan sot ecurinë e punimeve.

“Kjo është një vepër shumë e rëndësishme për sa i përket infrastrukturës bujqësore të Bashkisë Librazhd. Bashkë me kryetarin e Bashkisë prej disa vitesh kishim bërë të gjitha përpjekjet për të rivendosur në punë kanalin e vjetër, por ai kanal nuk mund të rikuperohej dhe u desh që në pjesën më të madhe të një segmenti 17 km të ndërhyhej tërësisht dhe ky investim do të jetë përfundimtar”, tha Balla.

Ai siguroi se “do të qëndrojmë në krye të punimeve dhe nuk do të marrim në dorëzim objektin nëse ai nuk do të jetë sipas standardeve”.

Ndërsa kryetari i bashkisë, Gurra vuri në dukje se ky ishte një angazhim i marrë që në ditën e parë në detyrë.

“Ka qenë angazhimi ynë që ditën e parë në administrimin e punëve të bashkisë për të bërë të mundur dërgimin e ujit vaditës në çdo parcelë. Fshati Kuturman ka një sipërfaqe toke të konsiderueshme, 380 ha tokë dhe me këtë investim do t’u vijmë në ndihmë banorëve të atij fshati. E rëndësishme është që ai problem që ka ekzistuar prej vitesh tashmë është zgjidhur”, tha ai.

Edhe fermerët e cilësuan jetik këtë investim të kërkuar prej shumë vitesh pasi fshati merret vetëm me bujqësi./m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.