BRUKSEL – Hapja e kufijve më 1 korrik, Shqipëria në listën e vendeve të BE-së

BRUKSEL, 26 qershor /ATSH/ – Bashkimi Europian po debatojnë sot për vendet që do të lejohen të hyjnë në Union më 1 korrik, kur kufijtë ndërkombëtarë të bllokut planifikohen të hapen, njoftoi rrjeti paneuropian informativ, Euronews.

Sipas Euronews , ekzistojnë dy lista, një për vendet që do të pranohen dhe një tjetër për vendet që nuk do pranohen, ndërkohë që Shqipëria është përfshirë mes vendeve që do të lejohet të hyjë në territorin e BE-së.

Pas disa muajsh mbylljeje, për shkak të pandemisë, zyrtarët në BE kanë krijuar një listë paraprake me vendet të cilave nuk u lejohet hyrja, për shkak të nivelit të lartë të përhapjes së COVID-19.

Lista ka ngjallur polemika pasi SHBA, vendi me prekjen më të madhe nga COVID-19, është në listën e vendeve që nuk do të pranohen.

Dje, zyrtarët europianë nuk arritën të marrin një vendim mbi të cilin vendet do të ndalohen nga hyrja pasi të hapen kufijtë e jashtëm të bllokut.

Përveç Shqipërisë, në listën e parë ndodhen edhe Kosova, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Kina, Japonia, India, Australia, Algjeria apo edhe Egjipti.

Në listën e dytë ndodhen Brazili, Rusia dhe SHBA.

Më 10 qershor Komisioni Europian rekomandoi heqjen e kufizimit të udhëtimit për Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë që nga 1 korriku duke pasur parasysh se situata e tyre epidemiologjike ishte e ngjashme ose më e mirë se sa ajo e BE.  / a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.