Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit, reagon politika kosovare

PRISHTINË, 24 qershor/ATSH/ Politika kosovare reagoi sot pas aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit Special në kuadër të Dhomave të Specializuara ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Kurti: Besoj në pastërtinë e luftës së UÇK-së 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti reagoi sot pas aktakuzës së ngritur nga Specialja kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Në një prononcim për medie, Kurti tha se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e drejtë dhe se e drejta është në anën e saj”.

“E di që lufta çlirimtare e UÇK-së, është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët e invalidët e UÇK-së edhe politikisht, edhe historikisht janë në të drejtën e tyre”, u shpreh Kurti.

Ai tha se ngritja e aktakuzës për presidentin Hashim Thaçi e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Unë besoj në pafajësinë e UÇK-së, dhe mendoj që Kosova është dashur qysh moti ta ketë gjyqësorin e vetë të pavarur e të paanshme që të hetojë, gjykojë, dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes”, tha Kurti.

Limaj: Kjo që ka ndodhur sot s’ka të bëjë me drejtësi, është përndjekje politike ndaj luftëtarëve të UÇK-së 

Ndërsa, Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i ka ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë që kjo i është kërkuar dhe do t’i përgjigjet çdo procesi gjyqësor.

Limaj tha se kjo që ka ndodhur sot nuk ka të bëjë me drejtësinë, ashtu siç nuk ka pasur lidhje me drejtësi i gjithë ky proces, që nga dita kur është iniciuar dhe votuar kjo gjykatë.

“Zyra e Prokurorit Special të Dhomave të Specializuara me deklaratën e sotme të motivuar politikisht shkeli rregulloren dhe ligjin me të cilin funksionon kjo gjykatë dhe kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë për të prishur përpjekjet për paqe”, tha Limaj.

Sipas tij, “me vetë mënyrën se si kjo zyrë e publikoi këtë aktakuzë të pakonfirmuar, tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me ndjekje politike ndaj luftëtarëve të UÇK-së”. “Dëshmia më e mirë për këtë është deklarata e sotme në kundërshtim të plotë me ligjin”, tha ai.

Pacolli: Besoj në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit 

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli tha se beson thellësisht në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së.

“Kosova ka luftuar për çlirim dhe pavarësi kundër Serbisë. Gati një shekull ishim shtypur dhe vrarë nga Serbia. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi një luftë të drejtë. Unë besoj në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit Kadri Veseli. UÇK-ja luftoi një luftë të drejtë. Ne të gjithë besojmë në pafajësinë e ushtarëve tanë”, tha Pacolli. /KosovaPress/ /m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.